Jahjaga: Gjermania, mbështetje të pakursyer për një Kosovë në paqe e liri

jahjagaPresidentja e Republikёs sё Kosovёs, Atifete Jahjaga dhe Ambasadorja gjermane, Angelika Viets, çelën sot në Prishtinë, festimet e 15 vjetorit tё bashkёpunimit gjermano-kosovar.
Presidentja Jahjaga theksoi se, ky jubile shënon kapitullin më të rëndësishëm të historisë së miqësisë së ngushtë që popujt tanë kanë ndërtuar me dekada të tëra.
“15 vite më parë vuri themelet mbështetja e pakursyer e popullit mik gjerman për vizionin e një Kosove në paqe dhe në liri, një Kosove shtet demokratik dhe anëtare të barabartë në familjen e popujve të lirë, duke u bërë kështu aleat kyç dhe partner strategjik i qytetarëve të Kosovës dhe avancimit të shtetit të tyre”, theksoi Jahjaga.
Presidentja vijoi se, në çdo hap të konsolidimit të shtetësisë tonë, të konsolidimit të subjektivitetit tonë ndërkombëtar, të ndërtimit të një shteti me mundësi të pafunda për të gjithë qytetarët pa dallim, ndihma dhe mbështetja e ardhur nga miqtë tanë gjermanë ka luajtur një rol të rëndësishëm.
“Andaj, ndërsa shënojmë arritjet dhe sukseset tona të përbashkëta në këto 15 vite, ju shpreh mirënjohjen më të thellë të qytetarëve të Kosovës dhe institucioneve të saj që qëndruat krah nesh dhe që besuat në vizionin tonë të lirisë dhe të paqes”, tha Presidentja kosovare.
Jahjaga siguroi se, institucionet e Kosovës sot, 15 vite pas përfundimit të luftës që la pas pasoja të rënda, mbeten të përkushtuara për të parë drejt së ardhmes, duke ndërmarrë të gjitha reformat e nevojshme për ndërtimin e një shteti të së drejtës ku mbizotëron rendi dhe ligji dhe një shteti të zhvilluar ekonomikisht që ju ofron qytetarëve të saj prosperitet dhe begati.
“Vlerësoj lart kontributin që ndihma gjermane dhe programet e shumta të saj, për paqe, siguri dhe zhvillim vazhdojnë t’i japin zhvillimit të së ardhmes së Kosovës dhe ndërtimin të një shoqërie gjithëpërfshirëse që ju ofron mundësi të barabarta të gjithë qytetarëve pa dallim etnie, feje apo gjinie”, u shpreh ajo.
Jahjaga theksoi se, Kosova mbetet e përkushtuar në rrugën e pakthyeshme drejtë integrimeve euroatlantike dhe në ushtrimin e rolit të saj si faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon, duke marrë përsipër të gjitha obligimet e saj si anëtare e barabartë në arenën ndërkombëtare.
Viti 2014 shёnon pёrvjetorin e 15-tё tё Bashkёpunimit gjermano-kosovar. Me rastin e kёtij pёrvjetori do tё festojmё nё Rrugën Nёna Terezё, në sheshin Zahir Pajaziti nё 19 dhe 20 shtator, është bërë e ditur në një komunikatë për shtyp dërguar nga Ambasada Gjermane në Prishtinë.
Tё gjitha organizatat qё pёrfitojnё nga Bashkёpunimi gjermano-kosovar do tё prezantojnё punёn e tyre para publikut. Ambasada Gjermane, GIZ-i (Shoqёria pёr Bashkёpunim Ndёrkombёtar), KfW-ja (Institucioni Kreditor pёr Rindёrtim), APPK-ja (Agjencia pёr Promovimin e Punёsimit nё Kosovё), DAAD-ja (Shёrbimi Gjerman pёr Shkёmbim Akademik) dhe shumё tё tjerё do tё jenё prezentë.

Na Ndiqni ne FB Banner

Submit a comment