Ja komisioni, i cili do të rishkruajë historinë e shqiptarëve
Shtatë historianë, dy prej të cilëve të huaj, do të rishkruajnë historinë e shqiptarëve.
Kreu i Komisionit, Paskal Milo, do të rishohë historinë nga vitet 1912 deri në vitin 1939.
Veç Pavarësisë të vendit, historiani i njohur, do të ketë një detyrë jo pak të lehtë, që është trajtimi i figurës së mbretit Zog, për të cilën ka pasur jo pak kundërshti, gjatë këtyre viteve.
Periudhën e Perandorisë së Bizantit, do ta trajtojë Pëllumb Xhufi, ndërsa Lorenc Bejko, periudhën ilire.
Sundimin osman, do ta kalojë në lupë, Dritan Egro, ndërsa Afrim Krasniqi, do të shkruajë historinë e pas viteve ’89, që duket se do të jetë më shumë një shkrim në rrjedhë kronologjike e ngjarjeve.
Dy periudhat që gjithmonë kanë krijuar debate mes historianëve dhe politikës shqiptare, i janë lënë në dorë dy personaliteteve të huaja.
Bernd Ficher një emër jo i panjohur edhe për shqiptarët, do të shkruajë për periudhën e Luftës së Dytë Botërore, ndërsa gjermani Michael Scheneke do të ketë detyrën më të vështirë prej të gjithëve, ndoshta edhe më të kontestuarën, pasi do tu japë shqiptareve tekstin e ri të historisë së komunizmit.
Pikërisht për këtë të fundit, kreut të komsionit Paskal Milo, kanë ardhur një seri reagimesh, që shprehen kundër rehabilitimit të figurës së Enver Hoxhës.