Itali, Salvini tërhiqet nga qeveria, vendi drejt zgjedhjeve te parakohshme

Nga Silvia Borrelli “Politico.eu”

Kreu i partisë Lega i të djathtës ekstreme, Mateo Salvini, deklaroi mbrëmjen e të enjtes tërheqjen nga qeverinë e koalicionit, duke e detyruar kryeministrin Xhuzepe Konte, të nxisë një proces që mund të çojë drejt zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Në një deklaratë për shtyp, Salvini, Ministër i Brendshëm dhe një nga 2 zv/kryeministrat deklaroi:”Le t’i drejtohemi menjëherë parlamentit, për të konstatuar se kjo qeveri nuk ka më një shumicë, siç e pa qartë edhe nga votimi i djeshëm në senat”.

Salvini, iu referua votimit të ditës së mërkurë, kur Lega iu bashkua partive kryesore të opozitës, për të refuzuar një mocion të ndërmarrë nga partnerja e saj në koalicion Lëvizja Pesë Yjet, për të bllokuar projektin e ndërtimit të një linje hekurudhore të shpejtësisë të lartë, që do të lidhë qytetin italian të Torinos dhe atë francez të Lionit.

Lëvizja e Salvini, bëri që kryeministri Xhuzepe Konte të nisë zyrtarisht një proces, që mund të çojë drejt zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që në muajin tetor. Në një deklaratë të mbajtur po dje për mediat, Konte tha se kishte thirrur në një takim urgjent drejtuesit e 2 dhomave të parlamentit italian, duke iu kërkuar atyre që të thërrasin ligjvënësit e larguar me pushimet verore, për një zhvilluar një mocion besimi ndaj qeverisë.

Salvini tha dje se “për qeverinë aktuale nuk ka asnjë alternativë tjetër, përveç zgjedhjeve të reja”. “Salvini më takoi për të më njoftuar, se ai po planifikon të shkojë sërish në zgjedhje, për të shfrytëzuar popullaritetin e tij aktual përmes zgjedhje të reja të parakohshme”-tha Konte.

“Unë i thashë Salvinit, që lëvizja e tij do të rrezikojë reformat e rëndësishme që ka nisur tashmë qeveria ime”- deklaroi kryeministri. Ndërkohë drejtuesi i Lëvizjes Pesë Yjet, Luixhi Di Maio, zv/kryeministri tjetër i qeverisë aktuale, iu bashkua qëndrimit të Kontes, duke thënë se “Salvini po rrëzon qeverinë, për të përfituar nga popullariteti i tij”.

Më herët gjatë ditës së djeshme, Di Maio u shpreh përmes një postimi në Facebook:”Ne jemi të gatshëm të shkojmë në zgjedhje, por Lega po tallet me italianët”. Shpërbërja e qeverisë, nuk do të jetë zyrtare derisa mbahet një akt zyrtar siç është një mocioni i mosbesimi, tërheqja e ministrave nga kabineti apo dorëheqja e kryeministrit Konte.

Më pas i takon presidentit Serxho Matarela të vendosur nëse zgjedhjet e parakohshme do të mbahen menjëherë, apo nëse do të caktohet një qeveri e përkohshme, sa për të miratuar në vjeshtë projektbuxhetin e vitit 2020.

Rënia e qeverisë italiane, do të shkaktonte një pasiguri të madhe për Bashkimin Evropian. Italia, është ekonomia e tretë më e madhe në eurozonë dhe anëtarja e katërt më popullsinëmë të madhe në BE. Ndërkohë, Roma nuk e ka emëruar ende kandidatin e saj për Komisionin e ardhshëm Evropian.

Po të enjten, kryeministri Konte u takua me presidentin Matarela – që u rikthye në Romë nga pushimet e tij verore- për të diskutuar mbi situatën delikate. Të dy zyrtarët e qeverisë, thanë se kryeministri nuk ofroi dorëheqjen e tij aoo të sugjeronte një riorganizim të qeverisë.

Por menjëherë pas këtij takimi, Salvini zhvilloi një tubim në Peskara, ku e përmendi krizën e mundshme të qeverisë vetëm në fund të fjalimit të tij gati 1 orësh, në fund të të cilit u përlot. “Nëse dikush beson në idetë e tij, ai nuk ka frikë… dhe unë nuk kam frikë”-tha ai, duke lënë të kuptohet mbajtjen e zgjedhjeve të reja.

Ai përsëriti ndërkohë deklaratën e tij të mëparshme, se ligjvënësit e Legës janë të gatshëm të shkojnë në parlament që ditën e hënë. “Njerëzit më thonë që parlamenti është me pushime, ndaj unë duhet të pres deri në tetor…E pse do t’i thërrisnit ligjvënësit në Romë që në mes të gushtit, thonë ata. Por çdo ditë që presim, është një ditë e humbur…E pse duhet të presim? Ekonomia jonë nuk do të na presë”-tha ai. Salvini e përfundoi fjalën e tij duke thënë:”Mezi pres të shoh deputetët në parlament javën e ardhshme”.

Përktheu:Alket Goce

Submit a comment