Institucionet e reja në Kosovë nisin javën e parë të plotë të punës

sovaInstitucionet e Kosovës të zgjedhjeve të 8 qershorit nisin nesër javën e parë të plotë të punës pas javës kur në 8 dhjetor u konstitua Kuvendi, i cili po atë ditë u mbodh në seancën e parë e në vazhdim një ditë më pas zgjodhi qeverinë e re.

Në angazhimet në vijim të qeverisë së re të Kosovës është edhe përgatitja e Planit Vjetor të Punës për vitin 2015, i cili, sipas agjendës së përcaktuar nga kryeministri, duhet të finalizohet deri në gjysmën e muajit janar 2015.

Javën e ardhëshme, në mbledhjen e radhës të qeverisë, e cila planifikohet të mbahet të mërkurën e 17 dhjetorit, do të rishqyrtohen dhe do të riprocedohen projektligjet e mbetura në procedurë në Kuvendin e Kosovës.

Ndërsa Kuvendi i Kosovës, gjatë javës së ardhshme, sipas agjendës së përcaktuar nga Kryesia, do të mblidhet në dy seanca plenare, të hënen me të vetmen pikë të rendit të ditës “Miratimi i propozim-vendimit për formimin e komisioneve parlamentare” dhe të enjten për fjalimin vjetor të Presidentes së Republikës, Atifete Jahjaga, para deputetëve.

Kryesia vendosi që gjatë kësaj legjislature, Kuvendi i Kosovës të ketë 14 komisione parlamentare. Në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit, kryeparlamentari Kadri Veseli ka njoftuar krijimin e grupeve parlamentare, sipas kësaj renditjeje: Grupi Parlamentar i PDK-së me 35 deputetë, kryetar i grupit Adem Grabovci; Grupi Parlamentar i LDK-së me 30 deputetë, kryetar i grupit Ismet Beqiri; Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje me 16 deputetë, i përfaqësuar nga deputeti Visar Ymeri; Grupi Parlamentar i AAK-së me 11 deputetë, kryetare e grupit Donika Kada – Bujupi; Grupi Parlamentar i Listës Serbe me 10 deputetë, kryetar i grupit Sasha Milosavleviç; Grupi Parlamentar Nisma me 6 deputetë, i përfaqësuar nga deputetja Valdete Bajrami; dhe Grupi Parlamentar 6+ (i disa komuniteteve pakicë) me 6 deputetë, i cili në fazën e parë do të kryesohet nga deputetja Mufera Shinik.

Kuvendi i Republikës së Kosovës ka gjithësej 120 deputetë, 100 prej tyre shqiptarë, 10 serbë e 10 të komuniteteve tjera pakicë.

Submit a comment