India anulon autonominë e rajonit të Kashmirit me shumicë myslimane

Nga Ahmer Khan & Rebecca Ratcliffe “The Guardian”

Kurban Bajrami është vetëm disa ditë larg, dhe tregu qendror në Srinagar, Lal Choëk, duhej të ishte plot me njerëz. Çdo vit aty mbërrijnë mijëra njerëz për të blerë rroba, stoli dhe ëmbëlsira. Dhentë dhe dhitë – që bëhen kurban për festën e rëndësishmë për myslimanët – sillen në treg nga fiset nomade nga malet e Kashmirit.

Por këtë javë Lal Choëk ishte i shkretë. Të mërkurën, vetëm 2 policë indianë të armatosur, qëndronin përballë dyqaneve të mbyllura të tregut. Srinagar, qyteti kryesor në Kashmir, është gati në shtetrrethim të plotë pas një njoftimi dramatik nga qeveria indiane të hënën, mbi anulimin e autonomisë së këtij rajoni.

“Jeta jonë do të jetë tani ndryshe. Kjo është një padrejtësi”-thotë Nusrat Amin, që sillej vërdallë rrugëve boshe të Srinagarit, në përpjekje për të blerë disa ilaçe. “Ne jemi të detyruar të dalim në rrugë, dhe të luftojmë kundër shtypjes”- theksoi ai.

Sipas ndryshimeve, kushtetuta dhe flamuri i Kashmirit do të zhduken. Ndërkohë është anuluar edhe ligji që ndalonte njerëzit nga jashtë Kashmirit të blinin tokë në këtë rajon të kontestuar, i vetmi shtet me shumicë myslimane në Indi.

Shumë banorë të Kashmirit, kanë frikë se demografia e rajonit të tyre dhe mënyra e tyre e të jetuarit, mund të ndryshojnë. Pakistani u përgjigj me ashpërsi ndaj kësaj lëvizjeje, teksa kryeministri Imran Khan, e akuzoi Indinë se mund të kryejë një spastrim etnik.

Ndërkohë edhe Kina, e quajti vendimin “të papranueshëm”. Zërat e banorëve të Kashmirit – e ardhmja e të cilit do të preket në mënyrë dramatike nga veprimet e qeverisë indiane – janë heshtur thuajse plotësisht. Disa orë para njoftimit, miliona njerëz në këtë rajon u vendosën nën një gjendje të rreptë të shtetrrethimit, teksa linjat e komunikimit u ndërprenë.

Në zonat e banuara, gjallon një ndjenjë e thellë zemërimi dhe tradhëtie.“Nga njëra anë ata na thonë se Kashmiri është i yni, dhe nga ana tjetër na vrasin”- thotë Muhamed Rafik. “Gjithçka që ata bëjnë këtu, e realizojnë përmes dhunës”-thotë ai.

Shumë prej tyre e akuzojnë Indinë se dëshiron tokën e Kashmirit, por jo banrët e saj. Në Srinagar, njerëzit janë mësuar të durojnë dhe të jetojnë nën një prani të madhe të forcave të sigurisë, por masat e fundit represive janë shumë më të rënda.

“Kur ​​një fëmijë sheh nga dritarja e shtëpisë, vëren forcat indiane me armë të rënda në duar. E çfarë mund t’i shkojë në mendje?”- shprehet Rafik. Për shkak të ndërprerjes së linjave të komunikimit, ka të ngjarë që njerëzit që banojnë jashtë qytetit, të mos e kenë dëgjuar ende njoftimin e qeverisë indiane.

Telefonat fiksë, ata celularë, internetit, televizionet kabllorë, janë bllokuar që të gjitha. Njerëzit nuk munden t’i telefonojnë dot të afërmve, apo të thërrasin ambulancën nëse kanë një urgjencë shëndetësore. Transporti publik nuk funksionon, çka do të thotë që nëse kanë probleme shëndetësore, mund të shkojnë në spital, vetëm nëse kanë një makinë.

Nëpër qytet, shumë rrugë janë bllokuar me tela me gjemba. Në pikat e kontrollit, njerëzit u luten oficerëve që t’i lënë të kalojnë. Shumica e banorëve, të shqetësuar nga tensionet që nisën që jaën e kaluar, u furnizuan me ushqimet dhe sendet më të domosdoshme, por nuk dihet se sa do të zgjasë shtetrrethimi.

Prania e forcave të sigurisë është e madhe, por shumë protesta zhvillohen në lagje të ndryshme. Në spitalin Shri Maharaja Hari Singh, mjekët po kurojnë së paku 50 persona, që kanë plagë nga plumbat e gomës. Thuhet se qindra politikanë dhe aktivistë lokalë janë arrestuar dhe dërguar në qendrat e paraburgimit.

Disa nga udhëheqësit më të shquar politikë të Kashmirit, që kanë krijuar aleanca me parti politike siç është Partia Bharatiya Janata, që qeveris sot Indinë mbeten në paraburgim. I gjithë spektri politik në Kashmir, është kundër heqjes së statusit të veçantë që ka ky territor.

Sapo të hiqen kufizimet, ka të ngjarë të ketë një reagim të ashpër nga populli, thotë Adnan Ashraf, zëdhënësi i Jammu dhe Asamblesë Popullore të Kashmirit. “Jam i sigurt se banorët do të shpërthejnë në revolta”- thotë ai, duke shtuar se në një periudhë afatgjatë, India i ka dhënë kashmirasve “arsye të mjaftueshme që të mirëpresin njerëzit, që ata mendojnë se do të luftojnë në emër të tyre”, duke nënkuptuar tërheqjen e afërt të SHBA-së nga Afganistani.

Pakistani ka reaguar menjeherë ndaj kësaj situate, duke njoftuar se do të dëbojë diplomatin e lartë të Indisë në Islamabad, dhe do të pezullojë tregtinë mes dy vendeve. Të dyja vendet, kanë zhvilluar 3 luftëra të shkurtra në të shkuarën për kontrollin e Kashmirit.

Në një fjalim të mbajtur para kombit të enjten, kryeministri i Indisë, Narendra Modi, premtoi se do të sillte zhvillim dhe prosperitet në Kashmir, dhe se veprimet e tij do të ndihmojnë në heqjen e gjendjen të shtetrrethimit. Por shumë njerëz në Kashmir, që nuk mund të shohin dot televizorin, nuk do t’i kenë dëgjuar dot fjalët e tij.

Por pasojat ekonomike të kësaj gjendje, janë të rënda. Atë po e vuajnë të gjitha bizneset e zonës. Koha e zgjedhur, pak para Kurban Bajramit, një nxitje e madhe për ekonominë, nuk mund të ishte më e keqe. “Njerëzit si unë, nuk kanë më asnjë besim tek parlamenti indian”-thotë Ashraf, duke shtuar se partia që ai përfaqëson, besonte në një të ardhme të përbashkët brenda Indisë. “Një Indi me shumicë indiane, që shkel mbi të drejtat dhe liritë e banorëve të Kashmirit, është një fatkeqësi e madhe dhe historike”- thekson ai.

Përktheu:Alket Goce

Submit a comment