Hapet ekspozita dedikuar besimit fetar në Shqipëri

tiraneNjë ekspozitë e veçantë dedikuar besimit fetar në Shqipëri është hapur në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë.

Ekspozita e emërtuar “Besimi”, u hap në kuadër të kalendarit artistik që programuan institucionet kulturore shqiptare në kuadër të vizitës së Papa Françeskut në Shqipëri, si dhe për të dëshmuar gjithë kontributin e klerikëve ndër vite.

Për të nxjerrë në pah pikërisht kontributin e klerit në Shqipëri para, gjatë dhe pas periudhës së diktaturës, sakrificën e tyre në breza si dhe për të promovuar bashkëjetesën ndërfetare, këtë tipar dallues të shoqërisë shqiptare, Ministria e Kulturës, Drejtoria e Planifikimit Strategjik për Trashëgiminë dhe Diversitetin Kulturor në bashkëpunim të plotë me komunitetet kryesore fetare ne Shqipëri: Mysliman, Katolik, Ortodoks dhe Bektashi organizon dhe kanë hapur ekspozitën për Klerin dhe Bashkëjetesën fetare “Besimi”.

Gjatë regjimit komunist afro 50 vjeçar u mbyllën shtypshkronja, u shkatërruan biblioteka, u dogjën libra, vepra arti, ikona, të gjitha këto që i përkisnin institucioneve të besimeve fetare, duke i sjellë një dëm të jashtëzakonshëm kulturës dhe trashëgimisë materiale dhe jomateriale shqiptare.

Ekspozita e mundësuar nga Ministria e Kulturës dhe Muzeu Historik Kombëtar, si dhe nga bashkëpunimi me komunitetet fetare, ka ngjallur edhe interesin dhe kujdesin e veçantë të Kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama.

“Qysh në zanafillën e përgatitjeve për vizitën e madhe deshëm shumë të krijonim një hapësirë publike krejt speciale kushtuar besimit, të cilën ta bënim të vizitueshme për njerëzit në vigjiljen e vizitës së Atit të Shenjtë në Shqipëri. Sprova e bashkëjetesës së paqtë fetare në Shqipëri, përmes errësirash e acaresh shpirtërore të pashoqe të së shkuarës, dhe përballë kërcënimesh e tundimesh të mëdha të së sotmes, ishte shtysa drejt kësaj ekspozite po është edhe temë e shumëdiskutuar e ditës. Ka këndvështrime të ndryshme dhe legjitime për thellësinë e besimit fetar ndër shqiptarët e për shkallën e tolerancës së shqiptarëve. Por asnjë përpjekje për ta kuptuar veten, Shqipërinë, historinë e shoqërinë tonë më mirë, s’duhet sidoqoftë të na pengojë ta çmojmë si një pasuri të rrallë dhe ta ruajmë si dritën e syve, bashkëjetesën harmonike mes feve e komuniteteve fetare; respektin për besimin e tjetrit e për ritin e fesë tjetër.”-ka deklaruar kryeministri Rama duke iu referuar hapjes së kësaj ekspozite.

Materiali fotografik dhe filmik i ofruar nga komunitetet fetare është kuruar nga kuratorët me përvojë artistike Edi Hila dhe asistenti i tij Zef Paci.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për rreth një muaj.

Na Ndiqni ne FB Banner

Submit a comment