Sherr brenda strukturave të Partisë Demokratike. Mbrëmjen e djeshme, gjatë mbledhjes për zgjedhjen e kreut të grupit të sesionit të Partisë Demokratike për Njësinë 4 në kryeqytet, janë konfliktuar me njëri-tjetrin, kryetari i kësaj dege me njërin prej anëtarëve të saj. Konkretisht bëhet fjalë për anëtarin e PD-së për Njësinë 4 në Tiranë, Genard K., i cili është rrahur me Ervin G., që aktualisht është zgjedhur kryetari i kësaj partie për Njësinë 4.
Burime nga uniformat blu bëjnë me dije se, pas sherrit, Kastrati i është drejtuar edhe Komisariatit numër 4, ku ka akuzuar kryetarin e tij, Ervin Goxhaj, për rrahje dhe kanosje. Burime nga policia sqarojnë se sherri ka nisur në momentin që është prezantuar kandidatura për nënkryetarin e Partisë Demokratike për këtë njësi. Kjo, pasi Kastrati nuk ka qenë dakord me këtë kandidaturë dhe ka kërkuar tërheqjen e kandidatit. Në këtë moment ka ndërhyrë kreu i PD-së për Njësinë 4, ku aktualisht janë duke u zhvilluar zgjedhjet për nënkryetarët dhe sekretarët e nëndegës për krijimin e strukturave të reja.
Mësohet se kryetari Goxhaj, jo vetëm e ka fyer, por edhe e ka goditur me grusht anëtarin e degës së partisë. Mbledhja e djeshme drejtohej nga Pal Metaj dhe Eduart Gjermeni.