Futbolli Europian: Botërori i vitit 2022 të luhet në maj

qatarShoqata e klubeve europiane dhe shoqata e ligave profesioniste europiane kanë studiuar të gjitha alternativat për të shmangur zhvillimin e Botërorit në dimër.

Futbolli europian do t’i propozojë FIFA-s që Kupa e Botës “Katar 2022” të zhvillohet në muajin maj, për të shmangur temperaturat e larta të verës, që do të ndikonin negativisht në shëndetin e lojtarëve dhe të tifozëve. Shoqata e klubeve europiane dhe shoqata e ligave profesioniste europiane kanë studiuar të gjitha alternativat për të shmangur zhvillimin e Botërorit në dimër, sikurse është edhe dëshira e FIFA-s. Ato propozojnë që Kupa e Botës e vitit 2022 të zhvillohet gjatë periudhës 4 maj – 4 qershor, që do të thotë se në qershor do të luhen vetëm finalja dhe sfida për vendin e tretë.

Opsioni i dytë është që të luhet ndërmjet qershorit dhe korrikut, megjithatë klubet dhe ligat profesioniste europiane do të insistojnë me argumentat e tyre që Botërori të luhet në maj.

Synimi është që të mos prishet kalendari logjik i kampionateve kombëtare, duke evituar zhvillimin e Botërorit në dimër. Sipas klubeve dhe ligave profesioniste europiane, kushtet klimaterike janë të pranueshme edhe gjatë muajit qershor, duke argumentuar se temperaturat në orën 18:00 në Katar luhaten nga 30 deri 35 gradë celsius. Në rastin më të keq, sipas një studimi, temperaturat do të jenë të njëjta me ato që u regjistruan në Fortallezza dhe Manaus gjatë “Brazil 2014”, por më të ulëta së në Meksikë 1986 apo SHBA 1994. Nëse organizatorët u qëndrojnë premtimeve për të përshtatur impiantet freskuese në stadiumet ku do të zhvillohen ndeshjet e Botërorit, sipas klubeve dhe ligave europiane të futbollit, lojtarët dhe spektatorët do të jenë në kushte perfekte. Ndikimet në kalendarin e ndeshjeve, nëse pranohet propozimi për zhvillimin e botërorit në maj, do të jenë minimale.

Studimi i klubeve dhe i shoqatës së ligave profesioniste europiane merr në konsideratë edhe aspektet kulturore. Në vitin 2022 muaji i shenjtë i Ramazanit përfundon më 2 maj, para se tifozët nga e gjithë bota të mbërrijnë në Katar. Festimet e muajit të Ramazanit do të përkonin me fillimin e Botërorit duke krijuar një atmosferë të veçantë gjatë këtij turneu. 

Submit a comment