Europa kërkon të evitojë ardhjen në pushtet të së majtës ekstremiste në Greqi.

GREQIAEuropa i ka rikthyer sërisht sytë nga Greqia. Tregjet janë në ethe kurse bursa e Athinës njeh vetëm rënie. Sot më 17 dhjetor do të mbahen zgjedhjet presidenciale, ku deputetët do të votojnë për Presidentin e Republikës. Këto zgjedhje përbëjnë një rrezik të madh, duke u nisur nga fakti se nëse kandidati për të qeverisur vendin, nuk arrin të zgjidhet deri në raundin e tretë deri më 29 dhjetor, parlamenti do të shpërbëhet. Deri në këto momente, sipas sonadazheve, kryeson partia e së majtës radikale Syriza.

Presidenti i Republikës Helenike zgjidhet nga deputetët e parlamentit me një mandat qeverisjeje 5 vjeçar. Roli i tij është kryesisht ceremonial. Për t’u zgjedhur ai duhet të marrë 200 vota në dy raundet e para të votimit dhe 18 vota në raundin e tretë gjithsej, nga 300 deputetët pjesëmarrës të parlamentit. Tre raundet e votimit janë parashikuar për më 17, 23 dhe 29 dhjetor.

Zgjedhjet e parakoshme

Nëse kandidati për president nuk arrihet që të marrë votbesimin deri në raundin e tretë, parlamenti do të shpërndahet  dhe do të afrohen zgjedhjet e parakohshme  legjislative më 1 shkurt.

 Në zyrat e partisë së Syrizës mbretëron klima e fitores. Presidenti i partisë Alexis Tsipras deklaron se është i gatshëm të marrë fatin e vendit në dorë. Për më tepër ai pretendon që të kryejë reforma që të rregulluar gjendjen e 240 miliardë eurove kredi të marra që prej 2010. Rritja e pagës minimale, moratoriumi mbi borxhin privat të bankave, anulimi i gati dy të tretave të borxhit publik dhe rritja e shpenzimeve qeveritare në terma të përgjithshme, të gjitha këto janë pjesë e programit të  Syrizas në qoftë se arrin të fitojë. Por kjo parti e majtë ekstremiste nuk e ka kuptuar ende që objektivat e saj bien ndesh me objektivat e vendosura nga kreditorët e Greqisë.

Nga ana e tij, Brukseli nuk heziton të japë mendime akoma ose më qartë udhëzime. Presidenti i Komisionit Europian Jean-Claude Juncker, mbështet kandidaturën e Samaras, duke deklaruar se ai shpreson “të shikojë portrete politike familjare për Bashkimin Europian” në janar në krye të shtetit Helenik. Në të njëjtin kontekst edhe komisioneri i Bashkimit Europian për  ekonominë Pierre Moscovici, më para dy ditësh kreu një vizitë pune në Athinë. Moscovici përshëndeti progresin e arritur nga ana e Greqisë dhe gjithashtu foli për reformën strukturore. Përsa i përket ides së shlyerjes së borxhit nga ana e partisë së majtë ekstremiste, ai e konsideron këtë projekt politik si vetëvrasës dhe fundosje të vendit, për më tepër nuk mbajti asnjë takim me  përfaqësuesit e partisë së Tsiprasit.

Në Bruksel po shqyrtohen të gjitha rreziqet e mundshme. Ose presidenti do të zgjidhet deri në fund të dhjetorit dhe do të ketë mjafteshëm kohë të përfundohen punimet e paracaktuar më “trojkën” (Fondi Monetar Ndërkombëtarë  dhe Banka Qendrore e Komisionit Europian): që do të thotë të bien dakord për reformat e kryera deri më sot dhe që Greqia të përfitojë nga kredia e fundit prej 1.8 miliadë eurosh. Ose nëse do të ketë zgjedhje të parakohshme, të cilat do të mbahen në shkurt 2015.

Edhe nëse Syriza arrin të fitojë, Brukselin nuk do ta zërë paniku sepse pikë së pari, kjo parti nuk mund të qeverisë e vetme. Më pas edhe nëse  do të ketë çarje dhe shpërndarje të tregjeve, situata financiare nuk do të jetë më e njëjta dhe nuk do të mund të krahasohet me atë të  para dy viteve. Nuk i trembemi asgjëje, përveç rënies ekonomike, e cila do të çonte dëm punën tonë prej dy viteve përkrah Greqisë, shpjegon një burim nga Brukseli.

 Në Athinë qeveria bën llogaritë e veta që të shmangë dështimin elektoral. Partia aktuale në mazhorancë posedon 155 vota.  Syriza posedon 71 deputetë, partia Komuniste KKE 12 deputetë, partia Grekët e Pavarur 12 deputetë dhe partia neonaziste Agimi i Artë 16 deputetë. Kryeministri ka kryer negociata më 24 deputetët e pavarur, të cilët janë larguar nga partia Socialiste greke dhe vetëm një pjesë e tyre deklaron se do të votojnë për Dimasin.

Që të marrë 180 votat e nevojshme Samarasi duhet të bindë 10 deputetët e partisë Social Demokrate të Dimas-it që të votojnë për të. Është momenti më i përshtashëm politik, sepse deputetët e Dimas-it i kanë dalë kundër kryetarit të tyre.

Përktheu: Jona Koprencka

Submit a comment