Duka në Elbasan, inspekton stadiumin “Elbasan Arena”

duka“Elbasan Arena” inspektohet edhe nga vetë numri një i FSHF-së, Armando Duka. Ditën e djeshme, Duka, i shoqëruar edhe nga sekretari i federatës, Ilir Shulku, kanë mbërritur në impiantin që do të luajë kombëtarja për të parë punimet. Duke qenë se presioni për të përfunduar është i madh, aq më tepër edhe pas fitores së Shqipërisë në Portugali, atëherë kreu i federatës ka zbarkuar me këmbët e tij për të parë deri ku kanë arritur punimet. Nga burimet e gazetës mësohet se Duka i ka parë nga afër të gjitha gjërat që po bëhen nga e para, sepse kërkon me çdo kusht që të plotësohen të gjitha kriteret e vendosura nga ndërkombëtarët, të cilët nuk tolerojnë në të tilla raste. Siç dihet, afati për të përfunduar është fundi i muajit dhe punëtorët janë duke punuar çdo ditë për të qenë brenda limiteve kohorë të vendosura nga UEFA, FSHF-ja dhe qeveria shqiptare.

Ecuria

– Pothuajse gjithçka ka përfunduar në stadium, përveç stolave që nuk janë vendosur ende dhe mobilimit të zyrave dhe dhomave, të cilat janë bërë sipas parametrave europianë. Sipas punëtorëve që po merren nga afër me ecurinë e punimeve në stadium, ato kanë ecur me ritme të kënaqshme, si edhe do të përfundojë në kohë, përpos ‘”Rrëmujës” që mund të duket në këto momente. Ngjyrat blu dhe gri me të cilat do të lyhet edhe fasada, kanë filluar të hidhen në godinë, të cilat pritet që t’ia tjetërsojnë komplet pamjen stadiumit dhe ta kthejnë atë edhe në më atraktivin në Shqipëri. Është duke u rregulluar gjithashtu edhe tribuna qendrore, e cila po bëhet me gipse, si edhe rrugët pranë stadiumit. Gjithçka është drejt përfundimit dhe shumë shpejt “çelësat” do të jenë në dorë, për të bërë edhe inaugurimin për ndeshjen e parë të kombëtares në shtëpi, atë me Danimarkën më 11 tetor.

Edhe Elbasani gati për të pritur Kombëtaren 

Pallatet – Stadiumi po ndryshon qytetin, ku përpos rrugëve që po shtrohen, po lyhen edhe pallatet që të çojnë në stadium. Kështu, mund të thuhet se nga një investim i tillë nuk përfiton vetëm futbolli apo ata që e ndjekin këtë sport, por të gjithë qytetarët. Në fakt, lyerja e këtyre të fundit, ndonëse ka filluar disi më vonë, pothuajse ka përfunduar, të paktën për sa i përket bulevardit qendror, ajo rrugë që të çon drejtpërdrejt në stadiumin “Elbasan Arena”.

Na Ndiqni ne FB Banner

Submit a comment