Dobësohet leku ndaj monedhave të huaja, dollari rekord ndaj lekut

lekeMonedha amerikane arrin vlerën më të lartë të viteve të fundit ndaj monedhës shqiptare lekut. Sipas kursit zyrtar të këmbimit të monedhave në Bankën e Shqipërisë një dollar tashmë këmbehet me mbi 114 lekë nga 100 lekë që këmbehej pak muaj më parë.

Në nivele mjaft të larta ndaj lekut vijon të qëndrojë edhe monedha europiane duke bërë që një euro të shkëmbehet me 140.22 lekë pavarësisht se jemi në periudhë festash kur emigrantët sjellin pranë familjeve të ardhura sado të pakta.

Dobësimi i monedhës kombëtare kundrejt dy monedhave më të fuqishme në tregun e këmbimit valutor tregon një përkeqësim të ecurisë ekonomike në vend.Ekspertët shpjegojnë se shvlerësimi I lekut shqiptar tregon rritje të dobët ekonomike,rënie të investimeve të huaja dhe ulje e remitancave.

Vlerësimi I dollarit në tregun e këmbimit valuator në Shqipëri shpjegohet me faktin e përmirësimit ekonomik të SHBA-ve çka e ka forcuar këtë monedhë në tregjet ndërkombëtare .Ndikim në vlerësimin e monedhës së gjelbër ka dhënë edhe ulja e çmimeve të naftës që është një përfitim neto për Shtetet e Bashkuara, duke ndihmuar konsumatorët dhe partnerët kryesorë tregtarë. Ndërkohë vlerësimi i euros shpjegohet me faktin e kërkesës së lartë për këtë monedhë në Shqipëri duke bërë që shvlerësimi në tregjet ndërkombëtare të mos reflektohet.

Forcimi i dollarit dhe i euros sjell efekte të drejtpërdrejta edhe në xhepat e qytetarëve pasi Shqipëria është një vend i cili importon pjesën më të madhe të produkteve duke bërë që të ketë rritje të çmimeve përfshirë edhe naftën. Të prekur nga vlerësimi I këtyre monedhave janë edhe ata qytetarë që kanë kredi në dollar dhe në euro.

Submit a comment