Dështon zgjedhja e kryetarit të parlamentit të Kosovës

parlamneti i kosovesParlamenti i Kosovës dështoi të zgjedhë kryetarin e tij në seancën e sotme. Kandidati i Partisë Demokratike, Arsim Bajrami, mori 44 vota, kundër votuan 61 deputetë, ndërsa të paanshëm ishin 11 prej tyre.

Menjëherë pas votimit, kryesuesja e seancës, Flora Brovina, ndërpreu seancën, duke paralajmëruar vazhdimin e saj në një të ardhme por pa datë të caktuar.

Deputetët u mblodhën në seancë pa ndonjë marrëveshje që do të nxirrte vendin nga ngërçi politik në të cilin ndodhet që nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare te tetë qershorit.

Në fund të muajit gusht, Gjykata Kushtetuese shpalli të pavlefshëm vendimin për zgjedhjen e kryetarit të parlamentit në seancën e 17 korrikut dhe i njohu Partisë Demokratike të drejtën që të propozojë kandidatin për kryetar, si grupi më i madh parlamentar i dalë nga zgjedhjet.

Ndërkaq, zyrtarët e bllokut politik i krijuar nga Lidhja Demokratike, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma për Kosovën dhe lëvizja Vetëvendosje, thonë se i kanë 63 deputetë që mund të zgjedhin udhëheqjen e parlamentit dhe të formojnë më pastaj edhe qeverinë.

Në vendimin e fundit Gjykata Kushtetuese tha se u takon deputetëve që të gjejnë një zgjidhje, meqë kushtetuta nuk parasheh që vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme. Por një mundësi e tillë nuk është përjashtuar, ndonëse asnjëra nga partitë politike nuk shprehet në favor të zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Meqë as dita e sotme nuk çoi në një zgjidhje, paralajmërohet mundësia e ndërhyrjes së presidentes së Kosovës Atifete Jahjaga për të lehtësuar një dialog politik e mbase edhe i diplomacisë perëndimore , e cila deri tani është përmbajtur duke bërë thirrje për një zgjidhje politike nga ana e vet partive politike në Kosovë.

Na Ndiqni ne FB Banner

Submit a comment