Derisa “një vesh” të më dëgjojë!

shkolla2Qëllimi i institucionit shkollor duhet të jetë që, nxënësit e tij të ndjehen si pjesa më e rëndësishme e shoqërisë dhe jo thjeshtë si një pjesë që kanë një detyrim për të kryer, ardhjen në shkollë. Por kjo kërkon në shkollë frymë kolegjialiteti, bashkëpunimi dhe kooperimi si dhe vlerësim në shkallën e duhur të organeve këshillimore, si Bordi i Shkollës, Këshilli i Prindërve dhe Qeveria e Nxënësve. Përgjegjësia për këtë është e drejtuesit të shkollës, i cili ka kompetencat dhe autoritetin e dhënë nga ligji pa anashkaluar edhe autoritetin që e ka fituar vetë (autoriteti profesional e shkencor, tiparet, karakteristikat, aftësitë për të drejtuar).
Klima në shkollë, ashtu si kudo, është mjaft e rëndësishme. Një klimë pozitive dhe bashkëpunuese është një shtysë për rezultate sa më të mira. Është detyrë e të gjithë aktorëve, por në veçanti e drejtuesve, që të krijojnë një mjedis të favorshëm për të gjithë. Nuk flasim për përsosmëri por për një klimë jo negative. Drejtuesi, si personi me pozicionin më të lartë zyrtar në shkollë, luan rol të rëndësishëm në të gjitha aspektet e ecurisë së shkollës nëpërmjet modelit të drejtimit të tij.
Ka vite që në të gjitha institucionet flitet që të punohet në grup, pasi është një nga mënyrat më efikase për të dhënë sukses. Edhe në arsim dhe në mësimdhënie është një teknikë mjaftë rezultative. Në drejtimin e shkollës, drejtori duhet të jetë udhëheqës i një grupi. Dihet që pjesëtarët e grupit kanë personalitete të ndryshme: formime, eksperienca dhe aftësi të ndryshme. Por aftësia e drejtuesit është që të njohë aftësitë e veçanta të gjithsecilit, t’i vërë në dukje ato dhe t’i angazhojë për të kryer atë punë ku ai ka besim se ato e bëjnë më mirë. Kështu, të gjithë do të angazhohen sipas specifikave të tyre dhe do të bëhen më të përgjegjshëm dhe të motivuar. E rëndësishme është, që me kalimin e kohës, i gjithë grupi duhet të kthehet në një grup kompakt. Kjo nuk është e lehtë praktikisht. Por përpjekjet duhet të jenë maksimale.
Për fatin e keq, ndodh që në shumë shkolla drejtuesit e saj e shohin jetëgjatësinë e postit të tyre duke krijuar një grup “të fortë” që mund t’i mbrojë më pas. Dhe këtë e quajnë punë në grup. Ky grup s’mund të jetë tjetër përveçse një grup që bashkohet prej interesave vetjake. Drejtori në këto raste bën favore; p.sh dikujt i jep leje pa kufi në dëm edhe të orëve të mësimit të paplotësuara; dikë e lë nën normë; dikë tjetër e toleron edhe pa përgatitje ditore, e cila deri tani është e detyrueshme; dikë e lë pa klasë kujdestarie, etj. Duke u favorizuar dalëngadalë, këta persona do t’i shërbejnë drejtorit duke u bërë solidarë me gabimet e tij dhe duke u krijuar prapaskena mësuesve që e bëjnë me korrektësi punën,që shprehin hapur mendimet e tyre me argumente mbi ecurinë e punës në shkollë dhe që kërkojnë të drejtat e tyre.
Të gjitha këto ky grup mund t’i bëjë që t’i shërbejë drejtorit, në jo për realizimin e qëllimit të përbashkët arsimor, por për qëllimet e tij vetjake. Por çfarë ndodh në këto raste? Duke i shërbyer drejtorit, ai vetvetiu fillon të përdoret nga këta persona për të goditur ndonjë nga anëtarët e këshillit të mësuesve, i papëlqyer nga grupi. Ndodh që problemet e kësaj natyre dhe të tjera si këto, krijohen nga zv/drejtorët. Në këtë rast, drejtori nuk duhet të kthehet në vëzhgues, apo të mbajë anën zv/drejtorit, sepse e mbështet “grupi i fortë” siç rëndom përdoret aty-këtu; apo se zv/drejtori mund të ketë një mik aty-këtu, por duhet të ndërhyjë me të gjithë autoritetin e tij dhe të zgjidhë problemet për të ndryshuar situatën.
Të qenit në staf drejtimi nuk do të thotë të plotësosh teka apo të mbulosh fajet e anëtarëve të stafit, por të kujdesesh për funksionimin e punës në staf, brenda kuadrit ligjor dhe pa dëmtuar mësuesit e tjerë. A është në funksion të një klime pozitive ndryshimi i ngarkesës mësimore dhe i orarit mësimor pa shkak nga fundi i vitit mësimor? Shkak i këtij ndryshimi mund të jetë vetëm teka e një anëtari drejtorie, që po t’i futesh në shpjegime më të thella të vjen për të qeshur e për të qarë.
Ndodh që dëgjohen dhe vlerësohen më së shumti mësuesit që çojnë thashetheme, joshin me dhurata dhe që nuk i durojnë mësuesit e tjerë kur flasin për çështje pune. A duhet të bëhet një analizë pse në të njëjtën shkollë ndodhin rrëmuja të vazhdueshme të natyrave të ndryshme, shpërdorim të dokumentacionit shkollor, vjedhje të bazës materiale të shkollës? Bordi i Shkollës në vite ka qenë mjaftë i përfolur për gabimet që bëhen nga drejtuesit e shkollave.
Këto gabime shfaqen me të filluar viti i ri shkollor dhe me të filluar mbledhjet e menjëhershme, pa u bërë kërkesa nga këshilli pedagogjik dhe pa miratim të bordit. Udhëzimi nr. 29,datë 25.09.2007, “Për grumbullimin, ruajtjen dhe përdorimin e të ardhurave dhe nga dhurimet nga prindërit…” e qartëson më së miri si do të mblidhen, ruhen dhe përdoren paratë e dhuruara nga prindërit. Çdo gjë që dhurohet duhet të pasqyrohet në dokumentacionin e shkollës (edhe një perde, një bravë, etj.). Kështu që nuk ka pse të gjykohet negativisht një mësues, nga drejtoria e shkollës, pse ai nuk mbledh lekët që dhurojnë prindërit dhe këto t’ia dorëzojë drejtorit të shkollës.
Mësuesi mund të ndihmojë në shpërndarjen e kërkesës për dhurime. Zbatimi i procedurave, sipas udhëzimit në fjalë do të krijonte besueshmëri, jo vetëm te mësuesit, por edhe te prindërit e nxënësit, dhe do të shërbente si shtysë për më shumë dhurime. Rëndësi ka edhe zgjedhja e anëtarëve të Bordit të Shkollës, në mënyrë që ata të jenë në gjendje të kuptojnë dhe të kryejnë funksionet që ka bordi.
Një efekt mjaft negativ për mbarëvajtjen në shkollë ka përdorimi i prindërve dhe i nxënësve nga drejtoria kundër mësuesve, apo nga mësuesit kundër kolegëve. Kur nxënësit e vërejnë një frymë të tillë në shkollë, ata ndjehen jo si pjesa më e rëndësishme e shoqërisë, por si ajo pjesë që e ka detyrim ardhjen në shkollë. Kësisoj, bëj thirrje për një ndryshim të dukshëm të klimës në shkolla, ku ajo të favorizojë rritjen e cilësisë. Kjo duhet të nisë nga DAR/ZA-t, të cilat duhet të njohin realitetin në shkolla dhe ky realitet njihet nëse drejtori i DAR-it krijon një organ këshillimor me mësuesit dhe drejtuesit më të mirë, që mund të analizojnë realitetin dhe mund të japin mendime të vlefshme për ndryshim.
Në këtë mënyrë, edhe drejtorët e shkollave detyrimisht do të bëhen shumë më të përgjegjshëm në kryerjen e detyrës në tërësi dhe për klimën në shkollë në veçanti. Shpesh thuhet që çdo gjë duhet të filloj nga vetja dhe e mira kjo është. Por nëse mësuesi është bashkëpunues dhe i gatshëm të kryejë detyra në ndihmë të mbarëvajtjes së punës në shkollë, por mbahet larg nga drejtuesi duke i parë mendimet e tij të errëta bazuar në opinionet e “grupit mbështetës” dhe jo në vëzhgimet konkrete në punë, nga duhet ta fillojë ky tip mësuesi? Mos vallë duhet të përshtatet dhe të pajtohet me atë turmë të moskorrektësisë dhe të shkeljeve të ligjshmërisë?! Ka fenomene që i kam rilistuar, por ato po bëhen gangrenë e shkollës. I kam bërë prezentë gjithnjë, i bëra sërish në këtë prag fillimviti shkollor dhe do të vazhdoj t’i bëj sa herë të jetë e nevojshme, derisa “një vesh” të më dëgjojë. E gjitha kjo, është në funksion të një arsimi të suksesshëm, gjersa çdo hap i imi lidhet me të, arsimin.

Na Ndiqni ne FB Banner

Submit a comment