Rinia që nuk plaket kurrë!

demokraci

24 vite më parë Shqipëria dhe Shqipëtarët pasuruan hapësirën enciklopedike botërore të Shqipërisë me një ngjarje shumë të rëndësishme.8 dhjetori 1990 është ditë e shënuar për çdo brez që e ka përjetuar atë, për çdo brez që e kujton atë sot, dhe për çdo brez që do ta kujtojë atë ndër vite. Në atë datë rinia shqiptare por jo vetëm, mori guximin të ngrejë zërin kundër izolimit, kundër rrënimit dhe internimit. Filloi anë e mbanë Shqipërisë njohja e të drejtave që Shqiptarëve i ishin mohuar për 45 vite me radhë. Duke marrë parasysh se komunizmi ishte akoma aty dhe se hija e tiranit më mizor që ka njohur historia jonë qëndronte si re e zezë mbi kokat tona, Shqiptarët morën guximin të dalin nëpër sheshe dhe ti japin fund mjerimit, duke djegur kështu perden e zezë që i pengonte të shijonin demokracinë. Dëshira për të rrëzuar atë pushtet ishte më e madhe se dëshira për të pasur demokraci, sepse ne nuk e dinim çfarë ishte demokracia por na mjaftonte çrrënjosja e sistemit totalitar si fillim. Revolucione ka pasur shumë dhe vazhdojnë të bëhen sepse veta jeta është një revolucion, por revolucioni që mori hov në 8 dhjetor 1990 është mbase më i rëndësishmi për ne. Edhe pse kemi larguar komunizmin, sot po luftojmë të largojmë komunistët e pakët që kanë mbetur, por të flasësh për ta sot, është humbje kohe. Ata siç u strukën në atë kohë ashtu struken 362 ditë të vitit, sepse kokën e nxjerrin nga mjerimi shpirtëror vetëm në festat e çlirimit. Pavarësisht bindjeve politike që kemi, pavarësisht cilësisë së dobët të demokracisë që gëzojmë, një gjë është e sigurt, ne sot jetojmë më të lumtur se dikur. Ne sot e ngrejmë zërin më shumë dhe dashje pa dashje ai do të dëgjohet. Në atë kohë shpirti i kësaj revolte ishin studentët dhe merita kryesore i shkon atij brezi. Me të drejtë çdo sistem qeverisës i trembet brezit të së ardhmes. Është ky brez që u bë shkaku i demokracisë, është ky brez ku varen shpresat e një kombi dhe është ky brez që sot i kushtohet kjo ditë. Një falenderim i madh i shkon gjithashtu atyre që atë ditë sakrifikuan jetët e tyre dhe gjithçka kishin që ne të jetojmë të lirë dhe ti të kemi mundësi ti kujtojmë e ti falenderojmë. Gjithashtu nuk mbeten pa falenderuar edhe mijëra të tjerë që fill pas kaosit u larguan jashtë dhe që sot mbase nuk janë përmendur kurrë për kontributin e tyre.

Nga: Gazmend Fekolli

Submit a comment