De Biazi: Analizon 2014-ën, Hysaj më i miri

de biasiËshtë një 2014 nën siglën e pozitivitetit. Kësisoj e shikon dhe analizon trajneri i Kombëtares, Xhani De Biazi vitin që po lëmë pas, duke saktësuar natyrisht momentet më të mira dhe ato negative. Trajneri italian ka bërë një rezyme të detajuar të nëntë ndeshjeve që luajti këtë vit skuadra jonë mes miqësoreve dhe kualifikimeve për në Europian, duke u ndalur te sfida me Rumaninë, më e dobëta sipas tij, dhe Francën, ndeshja që i ka pëlqyer më shumë, pavarësisht rezultatit. Sakaq, De Biazi konsideron Hysajn si lojtarin me rendimentin më të mirë për këtë vit, teksa nuk lë pa “përkëdhelur” edhe ata që i ka lënë jashtë së fundmi: Mehën dhe Gashin.
Nëntë ndeshje, 38 lojtarë të grumbulluar, si e vlerëson Xhani De Biazi 2014-ën?
Një vit të mirë në shumë aspekte. Nuk dua të flas me superoptimizma, por realisht ka qenë një vit ku kemi bërë gjëra shumë të mira.
Për shembull?
Më së pari kemi treguar se jemi një skuadër kompakte dhe kemi krijuar tashmë një lloj identiteti, në lojë më së shumti. Kjo është ajo që më pëlqen më shumë. Pastaj, nëse i marrim ndeshjet me radhë do thosha që ndaj Maltës, e cila ishte e para për këtë vit, na vlejti goxha për të parë se ku ishim me përgatitjet. Dhe përgjithësisht në atë periudhë të vitit, Shqipëria, lojtarët tanë, kam vërejtur se gëzojnë një formë të mirë, ndaj edhe fitorja, përtej kundërshtarit ishte e pritshme dhe e nevojshme për të krijuar një ambient pozitiv në ekip.
Dakord, por më pas humbëm me rumunët dhe hungarezët.
Do vija në këtë pikë. Sipas meje, ndeshja me Rumaninë ka qenë një nga ato ku unë jam zhgënjyer më shumë.
Ka qenë më e dobëta?
Jo, nuk mund ta konsideroj në këtë aspekt. Them zhgënjyer, pasi në gjykimin tim duhej të kishim bërë më shumë sesa aq. I kishim mundësitë dhe përvojën për të mos dalë të humbur nga ajo ndeshje, pavarësisht se goli erdhi në minutat e fundit. Më shumë sesa humbja, nuk më pëlqyen disa aspekte të lojës sonë, të cilat më pas i korrigjuam, natyrisht me kalimin e kohës. Ndërsa edhe me Hungarinë, mendoj se rezultati më i drejtë duhej të ishte barazimi. Gjithsesi e theksoj, periudha kur janë luajtur ato ndeshje, është më të dobëtat e skuadrës sonë, të paktën në këtë këndvështrim e kam vlerësuar unë, referuar edhe viteve të mëparshme.
Pse ndodh kjo sipas jush?
Kuptohet, për shkak të lodhjes në kampionatet ku lojtarët janë aktivizuar dhe është normale që fizikisht të mos kesh një skuadër të mirë. Pastaj, kur flitet për miqësore, edhe tempi bie paksa, pavarësisht se unë jam mësuar dhe gjithnjë jam munduar që të ushqej te lojtarët e mi se nuk duhet bërë asnjëherë diferenca mes një ndeshjeje zyrtare dhe një miqësoreje. Edhe në seanca stërvitore unë pres që gjithkush të japë më të mirën dhe jo më në ndeshje, ndaj këtë lojtarët e Kombëtares e dinë fort mirë.
Cila është, sipas jush, ndeshja më e mirë që ka zhvilluar këtë vit skuadra kombëtare?
Ajo kundër Francës. Jo ndaj Portugalisë… Jo, unë mendoj se ndaj Francës ishte takimi më i mirë që kemi bërë, duke e parë normalisht në të gjitha aspektet. Së pari, luanim ndaj një skuadre shumë të fortë. Absolutisht më e forta e grupit tonë dhe më vjen mirë që luajmë ndaj tyre vetëm miqësore. Kanë një grup lojtarësh fizikisht të jashtëzakonshëm dhe teknikisht ndër më të mirët në botë. Por neve bëmë një ndeshje shumë të mirë, duke u barazuar vetëm në minutat e fundit, jo vetëm duke shënuar gol, por edhe rrezikuar disa herë portën e tyre. Ditëm si të mbronim dhe të organizoheshim. Ekzekutuam deri diku mirë skemat tona, ndaj them se ishte ndeshja jonë më e mirë, pavarësisht se barazuam. Kjo pak rëndësi ka.
Po Portugalia?
Ah, Portugalia është një lloj surprize e këndshme. Unë e di fort mirë se pjesa më e madhe e njerëzve nuk besonte se ne mund të merrnim tri pikë në Portugali.
Pse ju e besonit? E them, sinqerisht besonit?
Si trajner, unë e hedh skuadrën në fushë përballë çdo kundërshtari me një synim të vetëm, fitoren, ndaj edhe ndaj tyre nuk është se menduam: OK, këta janë më të fortë, ndaj humbjen e kemi të sigurt. Sigurisht, që nëse do më kishit kërkuar para ndeshjes, nëse do të pajtohesha teorikisht dhe me një barazim, do thosha “po”, sepse është Portugalia, me lojtarë të kalibrit botëror. Gjithsesi, ne bëmë një ndeshje të mirë taktikisht, duke marrë një rezultat gati të papritur nga shumë njerëz, por tejet të merituar ama.
Më pas erdhi barazimi me Danimarkën…
Po, dhe më thoni nëse ka pasur një person, analist, gazetar që para se të fillonte sezoni i kualifikimeve do kishte parashikuar se në tri ndeshjet e para ne do kishim pesë pikë. Askush, këtë e kam të sigurt. Them pesë pikë, pasi barazimi deri në ato minuta sa u luajt në Beograd ka qenë më se i merituar nga skuadra jonë, për të mos thënë që patëm bërë diçka më tepër sesa serbët, paçka se ai ishte momenti më i keq për këtë vit.
E megjithatë, duket sikur ju keni frikë të thoni se mund të shkojmë në Europian…
Nuk kam asnjë lloj frike. Absolutisht jo. Por unë nuk dua të krijoj përshtypjen te njerëzit se tani kemi një skuadër të madhe. Jo, ne nuk jemi një skuadër e madhe. Ne jemi një ekip i vogël që kemi gjetur një lloj identiteti. Që luajmë në mënyrë kompakte. Që nëse punojmë shumë dhe kur them shumë, e kam fjalën shumë më shumë se të tjerët, atëherë mund të kemi shanse që të shkojmë në Europian. Më thoni juve çfarë menduat kur u hodh shorti i kualifikimeve? Jam i sigurt që Shqipërinë teorikisht e rendisnit të fundit.

Për mua, Serbia është skuadra më e mirë në grup, pasi ka lojtarë të jashtëzakonshëm, pavarësisht se tek ajo skuadër është keqmenaxhuar. E kam pasur bindje që në fillim se nisur edhe nga organika, serbët ishin dhe janë një ekip tejet i fortë. Dakord, tani sikundër kanë ardhur gjërat, sigurisht që janë ata vetë që e çuan atë ekip aty ku është, por sportivisht unë i vija serbët të parët. Më pas Portugalinë dhe Danimarkën. Kësisoj, teorikisht ne do mbeteshim sërish të katërt ose të fundit, ndaj them se ne nuk duhet të bëjmë llogari, por me përulësi të kërkojmë të marrim maksimumin në çdo ndeshje. Kësisoj arrihet objektivi.
Kush është lojtari që ju ka pëlqyer më shumë gjatë këtij viti? Duhet me patjetër një emër…
Ah, pyetje shumë e vështirë dhe e sikletshme. Mua nuk më pëlqen të veçoj lojtarët, pasi ua thashë që ne funksionojmë si skuadër dhe jo si individualitet. Por meqë këmbëngulni, po them që kam mbetur i surprizuar nga rendimenti i Elseid Hysajt. Është vetëm 20 vjeç, por ka bërë hapa të jashtëzakonshëm. Luan njëlloj si me klubin e tij dhe në Kombëtare e jo pa qëllim ka luajtur thuajse në të gjitha ndeshjet.
Po ai që ju ka zhgënjyer më shumë? 
Vazhdojmë te pyetja tjetër.
Para pak ditësh, ish-fantazisti i Kombëtares, Ervin Skela, pat thënë se nëse do luante tani me ekipin, ndoshta ju do ta linit në stol, kjo referuar mënyrës dhe modulit të lojës që ju aplikoni, e vërtetë?
Ndoshta ka të drejtë, por ju siguroj se çdo trajner, edhe unë në këtë mes, do anonte më shumë nga të pasurit të Skelës në skuadër. Gjithsesi, ne kemi një modul loje të thjeshtë në dukje. Jemi një 4-3-3 në fazën ofensive dhe kthehemi në 4-5-1 në fazën defensive. Tani, dallimi është te fakti se në futbollin e sotëm, çdo lojtar duhet të bëjë si fazën sulmuese dhe mbrojtëse. Është e pamundur dhe nuk ke shanse të luash nëse nuk sakrifikohesh në çdo cep të fushës.
Ndoshta kjo do ta penalizonte një si Skela?
Nuk e di, unë tani po analizoj ekipin tim. Kujtoni për shembull Etonë kur luante tek Interi. Në shumë ndeshje atë që të gjithë e njohin si sulmues tipik, bënte mbrojtësin e majtë. Epo, ashtu e fitoi Interi Champions-in, duke luajtur të gjithë bashkë në sulm, të gjithë bashkë në mbrojtje. Ky është futbolli i sotëm dhe ne këtë gjë po mundohemi të implementojmë.
A është e vërtetë se kjo lloj skeme penalizon lojtarë si Meha dhe Gashi?
Nuk ka arsye. Unë pashë ndeshjen e fundit të Bazelit me Liverpulin dhe Gashi bëri një nga ndeshjet më të mira, më së shumti në fazën mbrojtëse. Pra, mendoj se ai është një lojtar bashkëkohor dhe tejet i rëndësishëm për ne.
Dakord, por e keni lënë jashtë skuadre në ndeshjet e fundit?
Kjo nuk do të thotë asgjë. Varet nga momenti në të cilën ka qenë Gashi, por unë di t’ju them se ai është dhe mbetet pjesë e këtij ekipi dhe kur do të grumbullohet dhe luajë, jam i sigurt se do bëjë më të mirën për ekipin.
Së fundi është folur edhe për Alijin (Naser Aliji), edhe ky lojtar i Bazelit që mund të vijë në Kombëtare, e vërtetë?
Po, kam gati dy vjet që e ndjek këtë lojtar dhe është në planet e mia për të ardhmen.
Po Edgar Çani?
Vlen e njëjta gjë edhe për Edgarin. Unë me të flas vazhdimisht dhe më vjen mirë që edhe sot (dje) shënoi një gol. Nëse vazhdon kështu, do jetë pjesë e skuadrës.
Kush është zëvendësuesi i Etrit Berishës?
Do doja që të mos kishte një të tillë, pasi për mua është i pazëvendësueshëm. Por teorikisht sot për sot mbetet Shehi, ndërsa në një të ardhme të afërt shoh më së pari Alban Hoxhën dhe ndoshta Strakoshën, por gjithnjë do varet nga forma dhe aktivizimi që do ketë ky i fundit.
Shumë lojtarë janë në merkato, kujtoj Lenjanin, Cikalleshin, Abrashin, çfarë këshille do jepte De Biazi?
Për mua ka pak rëndësi nëse lëvizin nga skuadrat ku janë apo jo. Më së pari dua që ata të jenë mirë fizikisht dhe me shëndet. Dua që të luajnë vazhdimisht dhe në fund nëse shkojnë në një skuadër tjetër, uroj natyrisht që kjo gjë të bëhet për rritjen e tyre sportive, pra uroj të shkojnë në një skuadër më të fortë.
Çfarë note do t’i vinte De Biazi, Xhani De Biazit për këtë 2014?
Nuk e di, ndoshta një 6 plus mendoj se e meritoj…

Marrë nga: Panorama Sport

Submit a comment