Davutollu: Zgjidhjet në rajon, jo vetëm me masa sigurie

DavutolluI ftuar në një emision televiziv, Kryministri turk, Ahmet Davutollu, deklaroi se problemet e rajonit s’mund të zgjidhen vetëm me masa sigurie.

Në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve në lidhje me rendin e ditës, Davutollu tërhoqi vëmendjen mbi rreziqet, që po i kanosen rajonit.

Shefi i Ankarasë zyrtare vuri në pah se Siria, Iraku dhe Libani janë shndërruar në një linjë të tensionit të lartë dhe shtoi se vetëm masat e sigurisë nuk do të jenë të mjaftueshme për zgjidhjen e problemeve.

Ai theksoi se duhen jetësuar politika më efektive, të bazuara mbi një strategji më tërësore.

Gazetarët i kërkuan Kryeministrit të ri turk edhe disa hollësi për takimin e tij me sekretarin amerikan të Shtetit, Xhon Kerri, konferencën në Xhide të Arabisë Saudite për luftën kundër ISID-it dhe për komunikatën përfundimtare të saj, të cilën Turqia nuk pranoi ta nënshkruante.

“Aq sa e qartë është çfarë kërkon Amerika, po aq e qartë dhe e përcaktuar është gjithashtu arsyeja përse nuk nënshkruam. Analiza në detaje në këtë pikë dëmton motivin përse ne nuk vendosëm firmën tonë mbi atë komunikatë”, u shpreh kreu i ekzekutivit turk.

Më tej, Davutollu i bëri një vlerësim edhe planit të SHBA-ve, shpallur nga vet Presidenti Barak Obama, për shkatërrimin e ISID-it.

“Strategjia e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është e domosdoshme, por e pamjaftueshme për të vendosur rendin dhe stabilitetin politik. Problemi nuk mund të zgjidhet nëse neglizhohet Siria. Parandalimi i radikalizimit realizohet duke u dhënë përparësi politikave përvetësuese”, përfundoi Kryeministri Davutollu.

Na Ndiqni ne FB Banner

Submit a comment