Davutollu: Ndoqëm një strategji të ndërtuar mirë

Ahmet Davutollu“Nuk kemi paguar kurrë shpërblim, ndoqëm një strategji të qëndisur mirë”, deklaroi Kryeministri turk, Ahmet Davutollu, për sa i takon operacionit të shpëtimit të personelit të Konsullatës së Përgjithshme të Turqisë në Mosul të Irakut.

Kreu i Ankarasë zyrtare vlerësoi rendin e ditës në emisionin e një kanali televiziv privat.

“Nga 11 qershori e në vazhdim, të gjithë kaluam një sprovë shumë kritike”, u shpreh Kryeministri Davutollu dhe shtoi se metoda e parë, që u zbatua në këtë operacion shpëtimi, ishte menaxhimi psikologjik.

Davutollu theksoi se “një fjalë e nxjerrë nga goja në mënyrë të papeshuar dhe një proçes i drejtuar pa maturi, si pasojë sjell me vete jo vetëm humbjen e atyre qytetarëve, por edhe të prestigjit apo reputacionit të vendit”.

“Parimisht, ne nuk kemi paguar kurrë shpërblim, sepse të paguash shpërblim nënkupton përgatitjen e terrenit për rrëmbimet e ardhshme. Atëherë pengmarrjen e qytetarëve të Republikës së Turqisë të gjithë fillojnë ta shikojnë si një burim për të fituar para”, tha shefi i ekzekutivit turk.

Duke theksuar se banorët e Mosulit nuk do të mendonin kurrë që t’u bënin keq qytetarëve turq, Davutollu shpjegoi se vet ai dhe kreu i Shërbimit Informativ Kombëtar (MIT), Hakan Fidan, kanë realizuar personalisht bisedime me persona me influencë në rajon, për shpëtimin e pengjeve.

“Ajo çfarë na e ka vështirësuar me të vërtetë punën gjatë rrjedhës së ngjarjeve ishte pamundësia për të kontrolluar plotësisht kushtet përreth në terren, teksa rritej intensiteti i operacioneve dhe luftimeve”, u shpreh ai.

Sa i përket valës së emigracionit në zonat kufitare me Irakun dhe Sirinë, Kryeministri Ahmet Davutollu u prononcua me këto fjalë: “Popujt hyjnë në histori nëpërmjet vendimeve, që marrin në periudha të vështira. As që bëhet fjalë që populli ynë t’ua përplasë portat në fytyrë njerëzve në gjendje të vështirë.”

Na Ndiqni ne FB Banner

Submit a comment