Çfarë po ndodh mes SHBA-ve dhe Turqisë?

Presidenti turk Erdogan ftoi homologun e tij amerikan Donald Trump që të vizitojë Turqinë në vitin 2019, ndërsa Ankara dhe Uashingtoni forcojnë marrëdhënien mes tyre për të koordinuar tërheqjen e parashikuar të trupave amerikane ushtarake nga Siria. Lajmi është konfirmuar nga Shtëpia e Bardhë.

Ndërkohë presidenti amerikan në një mesazh në profilin e tij në Tuiter bën të ditur se aktualisht është përqendruar në krijimin e ekipit të punës për Korenë e Veriut. Kreu i Shtëpisë së Bardhë shkruan se janë shënuar progrese në pritje të takimit të radhës me Kim Jong Un.

Edhe pse nuk është përcaktuar ende diçka zyrtarisht, Trump është më se i gatshëm për një takim të tillë në të ardhmen, konfirmoi zëdhënësi i ekzekutivit amerikan. Ndërkohë një delegacion amerikan do të udhëtojë në Turqi këtë javë për koordinimin e tërheqjes nga Siria.

Të dielën pas një bisede telefonike mes Trump e Erdogan, presidenca turke konfirmoi se dy liderët kanë pranuar të koordinojnë ushtarët, diplomatët dhe liderë të tjerë të vendeve të tyre për të shmangur një boshllëk pushteti që mund të shfrytëzojë largimin e SHBA nga vendi si dhe fazën e tranzicionit në Siri. Turqia dërgoi të hënën përforcime të reja ushtarake në kufi me Sirinë.

 

 

Submit a comment