CEFTA, ekspertët: Kosova duhet të dalë e ta rinegociojë

Ish-zyrtarë të qeverisë së Kosovës dhe ekspertë ekonomie mendojnë se ekzekutivi aktual i saj duhet ta rinegociojë Marrëveshjen për Tregtinë e Lirë me vendet e Ballkanit Perëndimor, e njohur si CEFTA.

Ata thonë se, që prej nënshkrimit të kësaj ujdie, Kosova nuk është trajtuar si e barabartë me vendet e tjera të grupit. Argumentet e tyre tregojnë se marrëveshja është nënshkruar në një moment jo të përshtatshëm dhe në shumicën e rasteve, praktikisht e ka dëmtuar ekonominë e Kosovës.

Rezultatet e saj, asokohe kanë pasur efekt kryesisht në aspektin politik dhe jo atë ekonomik. Edhe në lidhje me shkëmbimet tregtare me bllokun e CEFTA-s, Kosova ka pasur raport jo të mirë mes eksportit dhe importit.

Vitin e kaluar, importi i mallrave nga vendet anëtare të grupit ka qenë mbi 856 milionë euro, ndërsa eksporti i mallrave të Kosovës drejt tyre ka qenë në nivelin e 183 milionë eurove.

Pjesë e CEFTA-s janë, veç Kosovës, edhe Shqipëria, Maqedonia, Serbia, Mali i Zi, Bosnje-Hercegovina dhe Moldavia.

Ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani i tha “Radios Europa e Lirë” se situata aktuale është shumë e favorshme, që Kosova të tërhiqet nga ky mekanizëm dhe më pas të rinegociohet. Arsyeja, sipas ish-ministrit, është se Kosova përfaqësohet në këtë mekanizëm ende si UNMIK dhe jo si Republikë e Kosovës.

Edhe eksperti Ismet Mulaj mendon se rinegociimi duhet të ndodhë më së pari për arsye ekonomike, pasi në kohën kur është arritur marrëveshja, – siç thotë ai, – Kosova nuk ka mbrojtur asnjë produkt të sajin, për shkak se ishte viti 2007 dhe prodhimtaria e vet ka qenë në hapat e parë.

Submit a comment