Ç’do të thotë të jesh antiverior…

-Reagim ndaj intervistës së Maks Velos

koment foto ilustrimKy shkrim lindi nga indinjimi i thellë i deklaratave të z. Maks Velo, që theksonte se ai është antiverior dhe antimysliman. Autori i shkrimit, që nuk është as verior dhe as mysliman, u ndje i ofenduar intelektualisht nga këto deklarata dhe i konsideron ato si banale dhe ordinere.

Të jesh intelektual nuk do të thotë të kesh mbaruar arsimin e lartë. Nuk janë intelektualë as ata që kanë vuajtur nën diktaturën e regjimit komunist. Statusin e intelektualit nuk ta jep as mosha e thyer. Intelektual nuk të bëjnë as artikujt shkencorë që mund të kesh botuar. Titullin intelektual ta atribuojnë kur ke disa cilësi të tjera. Le të analizojmë më poshtë këtë fjalë.

Baza etimologjike e fjalës intelektual është e njëjtë me atë të fjalës inteligjencë dhe të dyja derivojnë nga bashkimi i fjalëve latine intus=brenda dhe legere=lexosh. E thënë në fjalë të varfra: për të qenë intelektual duhet më parë të jesh inteligjent, ose më saktë, i aftë të shikosh gjërat në thellësi dhe mos të ndalesh si gjithë të tjerë tek aparenca. Për më tepër nuk duhet të gjykosh i bazuar mbi opinione banale dhe ordinere. Karakteristikë tjetër e një personi intelektual është ajo e mospërgjithësimit, por analiza e rasteve të ndarë nga njëri-tjetri. Derivon nga më sipër se për të qenë intelektual nuk mund të ndash kulturën apo artin ne kategori të mëdha si verior apo jugor. Nga një intelektual i vërtetë as bota nuk mund të ndahet në e krishterë apo islamike. Midis dhe rreth tyre ka një pafundësi sfumaturash dhe besimesh.

Të jesh antiverior do të thotë të mos marrësh në konsideratë Gjergj Fishtën, Ndre Mjedën, Luigj Gurakuqin, Millosh Gjergj Nikollën. Kjo do të thotë të fshish një pjesë të historisë e kulturës kombëtare. Të jesh antiverior do të thotë mos të marrësh në konsideratë veprat e ekspozuara në MAXXI (Museo nazionale delle arti del XXI secolo) të Romës nga Adrian Paçi. Këtë të fundit zoti Velo mundet edhe mos ta njohë sepse nuk e ka hasur nëpër ato “galeritë artistike” nën pjergullat me hardhi ngjitur me lokalet që frekuenton.

Nga ana tjetër të jesh antimysliman do të thotë mos të marrësh në konsideratë arkitekturën e Taj Mahal, të xhamisë së madhe të Damaskut, të Samarras, të Kairouan, arkitekturën e pallatit të Ukhaidir, arkitekturat e qytetit të Kajros. Të jesh antimysliman do të thotë të mos respektosh arkitekturën e Iranit, të Turqisë, të Egjiptit apo atë të qyteteve spektakolare të Tunizisë. Antimyslimanit nuk i intereson arkitektura e Sinanit apo dhe e shume arkitektëve të tjerë që kanë punuar në vende islamike. Mora shembuj mbi arkitekturën sepse besoj se Maks Velo mund të jetë kompetent në këtë fushë.

Të mohosh një pjesë të kulturës apo të profesionit tënd do të thotë që, o je i pakulturuar, o je joprofesional në atë që ushtron.

Dua të theksoj edhe faktin që injorant nuk është ai që nuk di. Ai që nuk di është i paditur dhe si i tillë nuk mund të jetë në asnjë mënyrë intelektual. Injorant është ai që injoron kulturën dhe faktet.

*Autori është Arkitekt.

Submit a comment