Tregtia dhe industria nxjerrëse, kredimarrësit kryesorë në banka
Sektorët e tregtisë dhe industrisë nxjerrëse rezultojnë dy sektorët, që gjatë muajit Korrik kanë marrë hua nga bankat e nivelit të dytë. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, në fund të muajit korrik stoku i huasë për sektorin e tregtisë u rrit me 1,3% në bazë mujore dhe në vlerë 136.9 miliardë lekë.
Tregtia zë peshën kryesore në stokun e huasë së bankave me 35% të totalit në fund të korrikut, e ndjekur nga industria përpunuese me 14%, ndërtimi me 13%.
Për pasojë, tregtia ka udhëhequr rritjen e kreditimit gjatë këtij viti pasi stoku i huasë në këtë sektor u zgjerua me 2.4% në raport me muajin dhjetor 2013, duke kapur një vlerë rritëse prej 3.2 miliardë lekë. Kredia për industrinë nxjerrëse u rrit sërish në korrik, me 21.6% me bazë mujore, edhe pse zë vetëm 1.8% të totalit të huasë së sektorit bankar. Sektorët e tjerë kanë parë një rënie, ose rritje të lehtë të huasë sivjet, ku tkurrja e kredisë është më e thellë për shëndetin dhe veprimtaritë sociale.