Bushati: Samiti i Berlinit sinjal inkurajues për afrimin e rajonit me BE-në

buMinistri i Jashtëm Ditmir Bushati tha sot se Konferenca e Berlinit ishte një sinjal inkurajues për rritjen e bashkëpunimit mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe afrimin e tyre drejt BE-së, ndonëse, shtoi ai, në pesë vitet që vijnë nuk do të shohim një anëtar të ri në Bashkimin Europian.
Ministri i Jashtëm raportoi sot në komisionin e Jashtëm parlamentar lidhur me Samitin e zhvilluar në Berlin për Ballkanin Perëndimor dhe Samitin e NATO-s në Uells.
Duke u ndalur tek termat e Konferencës së Berlinit, Bushati tha se ato ishin të strukturura rreth bashkëpunimit rajonal në disa fusha zhvillimore si infrastruktura, turizmi, energjia.
Lidhur me projektet në fushën e energjisë, ministri i Jashtëm tha se TAP, shihet si një nga projektet që në të ardhmen pritet të japë efektet e tij pozitive duke i lidhur të gjitha vendet e rajonit që janë pjesë e nismës Adriatiko-Joniane, por që do t’i shërbente gjithashtu dhe BE-së në funksion të ambicjeve për të diversifikuar burimet e energjisë.
Ministri u ndal me hollësi në dokumentin e punës prej 18 pikash që iu paraqit Konferencës, i cili konsistonte në mënyrën si mund të ridimensionohet marrëdhënia mes Bashkimit Europian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.
“Nga pikëpamja ekonomike, sot problemi i BE-së dhe atyre të rajonit është i madh. Mënyra si e ka strukturuar procesin politik dhe ekonomik BE-ja me rajonin e ka ndihmuar këtë të fundit për t’u stabilizuar, por jo aq shumë me ritmet që ne do të dëshironim. Vendet e Bashkimit Europian marrin 5-6 herë më shumë fonde se sa vendet e Ballkanit Perëndimor. Në dokumentin e Berlinit ne hodhëm idenë për një aplikueshmëri të instrumenteve financiarë që BE-ja përdor për vendet anëtare, të cilën gradualisht ta përdorë dhe për vendet e rajonit tonë”, theksoi ministri i Jashtëm.
Ndonëse në kuptimin politik te fjalës nuk do të ketë zgjerim të BE-së është e rëndësishme, tha Bushati, që procesi të mbahet gjallë dhe jo vetëm kaq, por dhe të shoqërohet me instrumentet financiarë të nevojshëm për t’i dhënë një dinamizëm në kuptimin ekonomik të fjalës.

“Rajoni ynë sot për sot nuk është pjesë e korridoreve më të rëndësishme europiane dhe ideja për ndërtimin e korridorit adriatiko-jonian është një ide që duket se po fiton terren”, tha ai.Duke u ndalur tek Samiti i NATO-s në Uells, ministri i Jashtëm shqiptar tha se tema kryesore të tij ishin raporti ndërmjet NATO-s dhe Ukrainës, si dhe mbështetja që i duhet dhënë kësaj të fundit; marrëdhëniet mes NATO-s dhe Rusisë; avancimi i gadishmërisë së Aleancës në Afganistan, si dhe zgjerimi i NATO-s me anëtarë të rinj, ku aktualisht numërohen katër vende që aspirojnë të anëtarësohen, tre nga të cilat janë vende të rajonit tonë.
Sa i takon misionit në Afganistan, Bushati tha se Shqipëria do të vazhdojë të kontribuojë me trupat e saj edhe në mandatin e ri 2014-2017, me të njëjtin kurs angazhimi.
Lidhur me politikën e zgjerimit me anëtarë të rinj, ministri i Jashtëm shqiptar tha se nga katër shtetet që Samiti mori në shqyrtim, Mal i Zi është vendi që mund të jetë anëtari i 29-të i Aleancës.
Ndërsa sa i takon Maqedonisë nuk shihet i afërt anëtarësimi i saj në NATO, pasi Samiti kërkoi respektim të plotë të Marrëveshjes së Ohrit, si dhe reforma në fushën e sundimit të ligjit. Po ashtu reforma më të plota u kërkuan dhe për dy vendet e tjera që aspirojnë të anëtarësohen në Aleancë, Bosnje-Hercegovinën dhe Gjeorgjinë.

Submit a comment