BSH: Kartat bankare, arrijnë në 900 mijë

kartaBanka e Shqipërisë bën të ditur se, në fund të tremujorit të tretë 2014, numri i kartave bankare aktive ka arritur në pothuajse 900 mijë, në rritje me 11% që nga fillimi i vitit. Në harkun e pesë viteve të fundit, numri i kartave bankare është rritur me 58%, si pasqyrim i rritjes së përdorimit të instrumenteve të pagesave bankare nga publiku shqiptar.

Sipas Bankës së Shqipërisë, në fund të tremujorit të tretë 2014, numri i kartave të kreditit arriti në 74 mijë, ndërsa në harkun e pesë viteve të fundit numri i kartave të kreditit është rritur me 3.2 herë. Kartat e kreditit janë një tregues më domethënës, duke qenë se janë produkte më të avancuara.

Përmes tyre, klienti merr paraprakisht një linjë të hapur kredie nga banka për kryerjen e pagesave direkte apo për tërheqje, duke i shlyer ato më vonë në kohë. Sidoqoftë, përdorimi i kartave ngelet ende i dominuar në operacionet më të thjeshta, që janë tërheqjet e parave cash nga bankomatet. Nga afro 100 miliardë lekë veprime me karta gjatë 9 muajve të këtij viti, rreth 92% janë tërheqje cash.

Ekspertët e pagesave mendojnë se rritja e përdorimit të pagesave direkte sjellë përfitime praktike dhe ekonomike. 

Submit a comment