Bozdo: “Dëmtimi i memorialit “Post- Bllok”, mesazhi i ringjalljes së kultit të diktaturës”

bozdoNënkryetari i Bashkisë së Tiranës Enno Bozdo ka dënuar dhunimin e përsëritur që i është bërë memorialit “Post- Bllok”. Sipas Bozdos dëmtimi i memorialit që simbolizon vuajtjet, persekutimet, vrasjet dhe shfarosjet vjen në të njëjtën kohë kur prej disa muajsh në aktivitete qeveritare shfaqet portreti i Enver Hoxhës.

“Jemi këtu për të denoncuar dëmtimin e qëllimshëm që i është bërë memorialit “Post-Bllok”, memorial i cili simbolizon vuajtjet, persekutimet, vrasjet dhe shfarosjet por edhe rezistencën e shqiptarëve kundrejt regjimit gjakatar, totalitar të Enver Hoxhës.

Dëmtimi është bërë me mjete të forta, me komplicitetin e heshtur të Edi Ramës dhe Ilir Metës, zyrat e të cilit janë vetëm disa metra larg nga ky vend dhe që ruhet me praninë e Gardës së Republikës dhe Policisë së Shtetit.

Po s’ka se si të ndodhë ndryshe kur kjo qeveri, kjo maxhorancë, kjo dyshe, ka ikurajuar shfaqjen e fantazmës së Enver Hoxhës, nëpërmjet portreteve të tij në një pjesë të mirë të ceremonive zyrtare dhe asnjëherë nuk ka kërkuar falje apo të jetë distancuar nga to. Kjo është e dhimbshme, kjo është e turpshme, dhe nevojitet një qëndrim i prerë, popullor kundrejt qëndrimeve të tilla.

Jemi këtu gjithashtu për t’i kërkuar Policisë së Shtetit, gjetjen dhe vënien para drejtësisë të autorëve të këtij dëmtimi, i cili nuk është dëmtim i rastit, nuk është aksidental, nuk është i rastësishëm, por mbart një mesazh të madh nga mbrapa.

Mesazhi i fetizimit apo ringjalljes së kultit të diktaturës. E them dhe njëherë tjetër, në emër të Bashkisë së Tiranës, i kërkojmë institucioneve shtetërore, Edi Ramës dhe Ilir Metës, të distancohen nga kjo që ka ndodhur sot dhe Policisë së Shtetit të vërë menjëherë para drejtësisë autorët e këtij krimi kaq të rëndë”-u shpreh nënkryetari i Bashkisë, Enno Bozdo.

Na Ndiqni ne FB Banner

Submit a comment