Berat, çmimi i lartë i energjisë rrezikon pyjet

druPrerja e drurëve vazhdon të mbetet një problematikë në qarkun e Beratit. Ulja e temperaturave, çmimet e larta të energjisë dhe gazit, bëjnë që konsumimi i lëndës drusore për ngrohje të shtohet ndjeshëm.

Banorët që jetojnë kryesisht pranë pyjeve, apo kodrave të pyllëzuara, vitet e fundit kanë abuzuar duke prerë masivisht dru.

Por, ndonëse, gjatë dy viteve të fundit janë shtuar masat kundër prerjes së paligjshme, kjo dukuri ende vazhdon. Vetëm gjatë ditëve të fundit janë vënë në ndjekje penale për prerje të paligjshme të druve katër persona.

Dy raste janë regjistruar në rrethin e Skraparit, ndërsa dy raste të tjera u regjistruan në rrethin e Beratit, në zonën e Lumasit, ku shkelësit po hetohen në gjendje të lirë, pasi u kapën duke transportuar dru të prera në mënyrë të paligjshme.

Drejtoria e Pyjeve në bashkëpunim me policinë mësohet se edhe për këtë vit do të zbatojë një plan masash për të ndaluar prerjen masive të drurëve.

Submit a comment