Beci: Financim i kontrollit mjekësor bazë për popullatën 40 – 65 vjeç

allkan forumForumi i 8-të Ballkanik i institucioneve të sigurimeve shëndetësore publike, me temë “Financimi dhe sfidat në sistemet e kujdesit shëndetësor për rajonin e Ballkanit”, nisi sot punimet në Tiranë.
Në forumin e organizuar nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, krahas përfaqësuesve të palës shqiptare nga Fondi, Ministria e Shëndetësisë dhe institucioneve të tjera, marrin pjesë përfaqësues në nivel drejtues të institucioneve homologe të Ballkanit.
Gjatë fjalës së tij, drejtori i Përgjithshëm i Fondit, Astrit Beci, u shpreh se “përtej dasive e diferencave, për të 8-in vit radhazi po gjejmë gjuhën e përbashkët për të diskutuar së bashku problemet dhe mekanizmat e duhur të financimit të sistemeve tona shëndetësore. Ne e dimë se, sfidat e financimit të drejtë të shërbimeve mjekësore për të arritur një mbulim gjithëpërfshirës, lidhen padyshim me nevojën për të qenë solidarë, në atë që është e drejtë e patjetërsueshme – e drejta për kujdes shëndetësor”.
“Mbrojtja financiare, me fokus te barazia dhe drejtësia sociale, si dhe niveli i mbulimit me shërbime, janë sot dy prej treguesve matës të mbulimit shëndetësor universal. Në këtë këndvështrim, do të financojmë programin e parë gjithëpërfshirës – kontrollin mjekësor bazë për popullatën 40-65 vjec – ku askush nuk do të jetë i përjashtuar, pavarësisht nëse është ose jo i siguruar”, tha Beci.
Sipas tij, aktualisht po përfundon përzgjedhja e qendrave shëndetësore që do të kenë laboratorin e plotë dhe ata që do të kenë setin për marrjen e mostrave, si dhe faza e dytë e trajnimeve të stafit mjekësor.
“Besojmë se brenda vitit do të nisim zbatimin konkret të këtij projekti madhor të qeverisë, si hapi i parë drejt mbulimit pa pagesë të shërbimeve mjekësore bazë, për të gjithë popullatën.Sot në Shqipëri, ne nisim rishtazi një mënyrë të re financimi të spitaleve me të cilat Fondi lidh kontratë për shërbimet shëndetësore. Ndryshimi i mënyrës së financimit të spitaleve nga buxhet historik, në financim për shërbimin e ofruar, është tashmë një domosdoshmëri.Por duhet thënë se, format e para të ndryshimit të mënyrës së financimit, kanë nisur me matjen e kostove dhe më pas financimin e 10 paketave të para të shërbimeve shëndetësore. Ne do t’i financojmë 100% këto paketa, si në spitalet publike ashtu edhe ato private”, nënvizoi Beci.
Drejtori i Fondit, Beci, u shpreh se “aktualisht ne kemi shpallur kriteret për lidhjen e kontratave dhe kushtet që duhet të plotësojnë spitalet private, në mënyrë që për dializën, 6 ndërhyrjet kardio-kirurgjikale dhe më pas transplanetet e parashikuara, të garantohet shërbimi sipas standardeve. Që nga ky moment, spitalet që plotësojnë kushtet, mund të përfitojnë nga ky ndryshimi rrënjësor i mënyrës së financimit të shërbimeve me fondet publike, në mënyrë që pacientët t’i përfitojnë këto paketa shëndetësore pa pagesë”.

Na Ndiqni ne FB Banner

Submit a comment