BE hap 4 kapituj për diskutim për Malin e Zi

negociataMali i Zi sot në Konferencën Ndërqeveritare të Ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian do të hapë katër kapituj të ri të negocimit për procesin e pranimit në BE.

Në konferencën në Bruksel, është parashikuar hapja e kapitujve negociues 18 – Statistikat, 28 – Mbrojtja e Konsumatorëve dhe Shëndetit, 29 – Bashkimi Doganor dhe 33 – Rregullat Financiare dhe Buxhetore.

Mali i Zi deri tani ka hapur 12 kapituj negociues, dy prej të cilëve janë mbyllur përkohësisht. Ndër kapitujt e hapur janë dy më kërkues në këtë proces, kapitulli 23 dhe 24 që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit dhe luftën kundër krimit dhe korrupsionit.

Në konferencën e sotme Ndërqeveritare në Bruksel, delegacionin e Malit të Zi do të udhëheqë zëvendëskryeministri malazez dhe Ministri i Punëve të Jashtme dhe të Integrimeve Evropiane, Igor Lukshiç. Përveç tij, në konferencë do të marrin pjesë kryengociatori për negociatat për anëtarësimin e Malit të Zi në BE, Aleksandar Andrija Pejoviç, Shefi i Misionit të Malit të Zi në BE, Ivan Lekoviç dhe sekretari i Grupit Negociator Miodrag Radoviç.

Submit a comment