Basha: Shqiptarët meritojnë një Kuvend ku përfaqësohen interesat e tyre

bashaKryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, priti sot eurodeputetin Knut Fleckenstein, Raporter për Shqipërinë në Parlamentin Europian dhe një nga dy të ngarkuarit e Parlamentit Europian për të ndihmuar në kapërcimin e krizës politike parlamentare në vendin tonë.

Basha e falenderoi zotin Fleckenstein për përpjekjet e tij dhe për rolin pozitiv e ndihmën konkrete që ai dhe Eduard Kukan po japin në misionin e ngarkuar  për zgjidhjen e krizës parlamentare në vend.

“Qytetarët shqiptarë dhe opozita nuk mund të pajtohen as me përdorimin e një grupi të strukturuar deputetësh me rekorde të krimit të organizuar, për të dhunuar, kërcënuar dhe shuar fjalën e lirë të opozitës në Kuvend dhe as me eliminimin e instrumentave të mbikqyrjes parlamentare  nga mazhoranca përmes shkeljes flagrante të Kushtetutës, ligjeve dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese”, theksoi Basha. “Dekriminalizimi i Parlamentit nuk është bamirësi ndaj opozitës, por domosdoshmëri për Shqipërinë, për interesat e qytetarëve shqiptarë dhe për rikthimin e jetës parlamentare”, tha ai.

Opozita përshëndet dhe mirëpret angazhimin dhe asistencën e Parlamentit Europian dhe institucioneve të tjera të Bashkimit Europian për një marrëveshje politike shumicë-opozitë që do t’i hapë rrugë dekriminalizimit të Kuvendit dhe rikthimit të jetës parlamentare në binarët e Kushtetutës, ligjshmërisë dhe frymës së konsensusit për reformat madhore, qe janë vendimtare për demokracinë dhe integrimin europian të Shqipërisë, theksoi kryetari i Partisë Demokratike.

Basha në prononcim për mediat pas takimi, u shpreh se “E kam nënvizuar që prej shtatorit se opozita kërkon të jetë në Kuvend, por në një Kuvend që funksionon sipas ligjit dhe Kushtetutës, që nuk i shkel dhe nuk i nëpërkëmb ato; në një Kuvend i cili përfaqëson interesat e qytetarëve shqiptarë dhe jo interesat e grupeve kriminale”.

“Procesi që sapo ka nisur është një proces komunikimi. Mendoj se i vlen rezultatit që presim jo vetëm ne si opozitë, por edhe qytetarët shqiptarë: një parlament mirëfunksional ku përfaqësohen interesat e tyre, ku flitet për interesat e tyre, ku zbatohet dhe respektohet Kushtetuta dhe Rregullorja e Parlamentit, ligjet, e ku fjala e lirë nuk kërcënohet dhe as nuk dhunohet nga përfaqësues të krimit të organizuar”, u shpreh Basha.

Raportuesi i PE-se, Knut Fleckenstein, pas takimit me kreun e PD-së, Lulzim Basha, u shpreh optimist për zgjidhjen e krizës dhe se në ditët në vijim opozita të jetë në Kuvend. Menjëherë pas përfundimit të takimit, raportuesi i PE-se, Knut Fleckenstein, dha një prononcim për mediat ku u shpreh se “Kam patur nje bashkëbisedim të mirë edhe me Ramën dhe Metën.  Jam optimist për zgjidhjen e krizës se bojkotit te parlamentit dhe se ne ditët në vijim opozita do të jetë në Kuvend. Besoj se opozita do të jetë në seancën e ardhshme në Kuvend ”.

Raportuesi, Fleckenstein inkurajoi opozitën shqiptare qe të rikthehet në parlament, duke theksuar domosdoshmërinë e rivendosjes së dialogut politik në vend. 

Submit a comment