Bajrami: Mustafa mund të bëhet kryeparlamentar, me propozimin e PDK

kos parlament“Duhet të kemi marrëveshje, duhet të respektojmë Kushtetutën”, deklaroi kandidati i PDK-së për kryetar të Kuvendit të Kosovës, Arsim Bajrami, duke lënë edhe mundësinë që kandidati tjetër nga LDK, Isa Mustafa të jetë kryeparlamentari.
“Mustafa mund të bëhet kryetar i Parlamentit vetëm me propozimin e Partisë Demokratike, Grupit më të madh Parlamentar. Në këtë mënyrë do të jetë i ligjshëm, do të jetë kushtetues. Çdo formë tjetër, atë do ta shtinte në një reciklim të shkeljes së Kushtetutës, që jam i sigurt se ai nuk do ta pranoj”, tha Bajrami mbrëmë në një intervistë televizive në Prishtinë.
Kryesuesja e seancës konstituive të Kuvendit, deputetja më e vjetër, Flora Brovina, sot në shtypin Kosovar ka theksuar se vetëm PDK-së i takon e drejta për ta propozuar kryeparlamentarin.

“Në mënyrë shumë të qartë vendimi i Gjykatës Kushtetuese thotë se të drejtën për ta propozuar kryeparlamentarin e ka partia, e cila ka dalë fituese në zgjedhje. Vendimi i kësaj gjykate nuk thotë se PDK-ja s’mund ta propozojë një kandidat për kryeparlamentar nga opozita. Kjo mund të ndodhë, natyrisht, nëse merren vesh”, citohet Brovina.
Lideri i LDK-së, Mustafa, i kandiduar për kryeparlamentar nga koalicioni i pas zgjedhjeve të 8 qershorit, është shprehur dje në Facebook se, “konstituimi i Kuvendit dhe formimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës, si rezultat i zgjedhjeve të fundit, ka vlerë dhe duhet të bëhet duke respektuar garën politike dhe vullnetin politik të shumicës”.
“Manipulimi dhe shërbimi me shantazhime të individëve apo të institucioneve që duhet të jenë të pavarura nuk i kontribuon këtij procesi dhe është në kundërshtim me idenë për institucione të pavarura”, ka shtuar ai.
Zgjedhja e Mustafës për kryeparlamentar, pas ndërprerjes së seancës konstituive nga kryesuesja, në 17 korrik me 65 vota pro dhe 18 abstenime është anuluar nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës.
Në 18 shtator, në vazhdimin pakminutësh të seancës konstituive Bajrami mori 44 vota pro, të pamjafueshme për t’u zgjedhur kryetar i Kuvendit të Kosovës 120 anëtarësh.
Vazhdimi tjetër i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës pritet të mbahet të enjten e javës së ardhshme, në 2 tetor.

Na Ndiqni ne FB Banner

Submit a comment