Arben Malaj kandidon për Këshillin e BSH: Dua të shërbej

malajIsh-ministri i Financave, Arben Malaj ka depozituar kandidaturën e tij për anëtar të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Malaj konfirmoi dje se kandidaturën e ka depozituar për të fituar një nga dy vendet e mbetura bosh në Këshill, të cilat zgjidhen nga Parlamenti. I pyetur nëse e ka depozituar kërkesën, Malaj tha: “Po, por për një nga dy vendet vakante të Parlamentit, të liruara që vitin e kaluar, kur mbaruan mandatin e tyre Arjan Kadareja dhe Halit Xhafa”. “Është një mundësi për t’i shërbyer vendit tim”, – thekson Malaj.

I pyetur nëse mendon se do të marrë votat e ish-kolegëve të tij socialistë në Kuvend, Malaj u shpreh: “Në qoftë se më mbështesin, do t’i falënderoj me mirënjohje. Në qoftë se jo, do t’i mirëkuptoj”. Arben Malaj tashmë ka një eksperiencë disavjeçare në drejtimin e financave. Në korrik 1997 – shtator 1998, Malaj ka mbajtur postin e ministrit të Financave në Qeverinë e Aleancës për Shtetin. Nga marsi deri në korrik të vitit 1997, ka qenë ministër i Financave në Qeverinë e Pajtimit Kombëtar si dhe Guvernator i Shqipërisë për Bankën Botërore.

Na Ndiqni ne FB Banner

Submit a comment