Ambasadorja çeke Tomasova interes për bashkëpunim në fushën e biznesit me bashkinë Elbasan

Ambasadorja çeke TomasovaAmbasadorja çeke në Tiranë, Branislava Tomasova, gjatë një takimi sot me kryetarin e bashkisë së Elbasanit Qazim Sejdini, kërkoi një bashkëpunim në të ardhmen në fushën e biznesit në veçanti të rafinerisë ku shumë kompani çeke kanë përvojë. Kreu i bashkisë, Sejdini, pasi i bëri një paraqitje historikut të qytetit, si edhe marëdhënieve të hershme që ka pasur Shqipëria me Çekinë që para 55 vjetësh, u ndal tek reforma territoriale, që sipas tij kjo reformë do të sjellë zhvillime të menjëherëshme për qytetin e Elbasanit.
“Elbasani pas një viti do të jetë një njësi bashkiake që do të përmbledhë 13 komuna, gjë do të sjellë një zhvillim të qytetit, do të ketë shumë resurse, shumë turizëm, do të ketë ujërat termalë, zonat malore të Gjinarit, do të ketë industrinë, ambientet e ish Kombinatit Metalurgjik dhe ne si bashki kemi nisur përgatitjet. Gjithashtu shpresoj edhe tek decentralizimi i kompetencave për zhvillimin e mëtejshëm të rritjes së mirëqenies”, theksoi Sejdini.
Kryetari i bashkisë, Sejdini u shpreh më tej se “do t’iu ftoja edhe ju që nëpërmjet bizneseve çeke të tregonit interes për qytetin e Elbasanit. Do të ishte në interesin tonë që një grup binesmenësh çekë të vijnë dhe të njihen me qytetin dhe me resurset që ai ofron për investime”, tha ndër të tjera Sejdini duke u treguar i gatshëm që të bashkëpunojë me shtetin çek.
Ndërkaq ky propozim i Sejdinit u mirëprit nga ambasadorja çeke e cila tha se “mendoj se ka ardhur koha që të kemi një bashkëpunim më të gjerë mes dy shteteve”, ndërsa i kërkoi kreut të bashkisë edhe një herë se ku janë fushat sociale që ka më shumë probleme qyteti i Elbasanit.
Sejdini e vuri theksin tek punësimi që vazhdon të jetë problem për qytetin, që sipas tij “ vetëm me rritjen e biznesit do të ulet papunësia, si edhe një tjetër fushë ku mund të investohet është bujqësia, pasi Elbasani njihet për një fushë pjellore, si edhe shëndetësia dhe pyjet”.
Ndërkaq duke shprehur mirënjohjen për mikpritjen Ambasadorja çeke shprehu interes për bashkëpunim në të ardhmen me bashkinë e Elbasanit.

Na Ndiqni ne FB Banner

Submit a comment