Alarmohen serbët: Nuk duam tifozë kuqezinj në Beograd

tifozatMe afrimin e datës së ndeshjes mes Serbisë dhe Shqipërisë në Beograd, opinioni serb dhe Federata e Futbollit të këtij vendi kanë nisur të shqetësohen. Jo për cilësinë e ekipit shqiptar, por për atë që pritet të tërheqë Kombëtarja me vete në kryeqendrën serbe. Serbët po i frikësohen fluksit të tifozëve shqiptarë në Beograd, në veçanti atyre të Prishtinës, të njohur si “Plisat”. Ata i druhen konfrontimit, megjithëse janë të njohur për huliganizëm nëpër stadiume. Dje, shumë gazeta serbe kanë dalë me tituj fyes për tifozët e Prishtinës si: “Paralajmërimi i një rrëmuje: huliganët prishtinas vijnë në Beograd”, “Huliganët prishtinas okupojnë Beogradin” dhe “Të ndalohet rrëmuja: tifozët shqiptarë do ta përkrahin Shqipërinë në Beograd”. Ndërkohë dje, ndër të tjera, në gazetën prestigjioze serbe, “Kurir”, shkruhej: “Tifozët e mbledhur pas këtij grupi, i përcjellin të gjitha ndeshjet e Prishtinës, por edhe të përfaqësueses së Shqipërisë dhe janë të njohur me huliganizmin dhe trazirat që i shkaktojnë”.
“Plisat” Shqetësimi i opinionit serb të hënën është konfirmuar edhe nga kreu i grupit të tifozëve të Prishtinës, “Plisat”, Albert Kastrati. Ai thotë se ka nisur seleksionimi i atyre që do të udhëtojnë në Beograd. Sipas tij, kushti kryesor është që mosha të jetë mbi 20 vjeç. Ndeshja ndërmjet Serbisë e Shqipërisë zhvillohet më 14 tetor në stadiumin e Partizanit të Beogradit, që ka një kapacitet prej 32 mijë vendesh. Kjo për Shqipërinë do të jetë ndeshja e tretë eliminatore e Grupit I për kampionatin europian. Ndërsa tri ditë më herët kuqezinjtë luajnë me Danimarkën, në stadiumin e Elbasanit. “Që nga e hëna kemi filluar t’i shënojmë emrat e të interesuarve që dëshirojnë të na bashkohen për të udhëtuar në Beograd. Interesimi është shumë i madh, por ne do t’i përzgjedhim. Nuk duam të marrim njerëz vetëm pse kanë dëshirë të shohin ndeshjen. Të gjithë do të jenë mbi moshën 20-vjeçare. Deri tani interesim kanë shprehur rreth 200 tifozë nga grupi ‘Plisat’. Gjithashtu edhe ‘Tifozat Kuq e Zi’, nga Shqipëria dhe vendet e tjera janë interesuar”, – ka thënë Kastrati. Ai ka bërë të ditur se udhëtimi për në Beograd mund të bëhet nga Prishtina ose Presheva. “Takimi i gjithë atyre që do të vijnë në Beograd do të bëhet ose në Prishtinë ose në Preshevë. Për vendin e nisjes ka mbetur të takohemi edhe njëherë për të vendosur”, – ka theksuar kreu i ultrasve të Prishtinës. Kryetifozi ngul këmbë se Serbia nuk do të mund të ndalë udhëtimin e tifozëve shqiptarë në Beograd. “Presim që gjithçka të shkojë në rregull dhe besoj se do të na lejojnë, pasi është edhe ndeshja e kthimit në Elbasan. Nuk ka asgjë të keqe, ne do të shkojmë për ta përkrahur Shqipërinë. Serbët gjithçka po e lidhin me politikë, por politikë në sport nuk ka, kështu që duhet të na lejojnë të shkojmë”, shton Kastrati. Tifogrupi “Plisat” është përcaktuar të përkrahë Kombëtaren shqiptare dhe jo Përfaqësuesen e Kosovës. Në fakt, me t’u hedhur shorti, Grupi mori ngjyrime politike për shkak të pjesëmarrjes së Shqipërisë dhe Serbisë në të. Madje, për shkak të rrethanave dhe konfliktit shqiptaro-serb e në veçanti të Kosovës, u vlerësua se kjo ndeshje është e rrezikut të lartë. Mediat serbe ia kanë tërhequr vërejtjen Federatës së Serbisë se duhet të marrë të gjitha masat për të parandaluar problemet.
Reagimi i FSHF-së Shefi i marketingut në Federatën Shqiptare të Futbollit, Gazmend Malo, thotë se shqiptarët nuk kanë qenë asnjëherë problematikë në stadiumet europiane. “Ne kemi marrë kërkesa nga grupet tona të tifozërisë që duan të shkojnë në Beograd. Qëndrimi ynë është se duam t’ua plotësojmë dëshirat dhe kërkesat. Tifozëria e Kombëtares shqiptare nuk ka krijuar kurrë probleme në asnjë stadium të Europës dhe askush nuk duhet t’i trajtojë tifozët tanë si huliganë apo vandalë. Jemi në bisedime me Federatën e Futbollit të Serbisë për këtë çështje, për përcaktimin e sektorit në stadium, çmimit dhe të tjerave. Për hapat e mëtejshëm do të njoftojmë me kohë. Ende nuk e dimë se sa do të jetë numri i tifozëve”, – ka thënë Malo. Ndërkohë, sekretari i Përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Serbisë, Zoran Lakoviç, më herët kishte paralajmëruar se pret që ndeshja me Shqipërinë ta marrë etiketën e duelit me rrezikshmëri të lartë. “Për fat të mirë apo për të keq, kemi përvojë për organizimin e ndeshjeve të tilla, si ajo e fundit kundër Kroacisë. Jemi mësuar që ndeshjet tona të marrin konotacion tjetër, krahas atij sportiv”, – ka thënë Lakoviç.


Na Ndiqni ne FB Banner

Submit a comment