Abuzimi me të mitur për lypje, SHSSH: 70 raste të evidentuara

et3 muaj nga ngritja e grupit task-forcë për evidentimin dhe ndërhyrjen në rastet e fëmijëve në situatë rruge deklarohet se janë evidentuar 70 raste abuzimi me të mitur që kryesisht lypin në rrugët e Tiranës prej të cilëve 1 është proceduar penalisht ndërsa 4 të tjerë janë në proces. 

Drejtoresha e Shërbimit Social Shtetëror Etleva Bisha thotë se synohet ndërgjegjësimi i prindërve të cilëve u ofrohet punësim në këmbim të mos nxjerrjes së fëmijëve për të lypur apo punë të tjera në rrugë. 

“ Raste të identifikuara nga ne gjatë kësaj periudhe korrik-gusht dhe me të cilat po punohet janë 70. po bëhet një vlerësimin real i nevojave që ka familja në mënyrë që procesi i largimit nga rruga të jetë i natyrshëm. Prindërit asistohen dhe referohen ose për tu punësuar ose për të marrë një formim profesional, ose për të përfituar nga skema e ndihmës ekonomike. Kemi hasur edhe në raste të vështira që nuk kanë pranuar oferta punësimi apo oferta të tjera mbështetje. 

Kemi filluar edhe procedurat për të kërkuar ndjekje penale për këto familje. Një rast është bërë publik ndërkohë që kemi në proces katër raste të tjera. Rast pas rasti do të vlerësohet se çfarë do bëhet me fëmijët. Grupet tona përpiqen dhe bëjnë maksimumin që mos arrijnë deri në pikën që të shkohet për ndjekje penale”- u shpreh Bisha. 

Kreu i Shërbimit Social Shtetëror deklaron se në asnjë rast të evidentuar nuk ka pasur tutor dhe abuzimi ka ardhur nga vetë prindërit e fëmijëve. “ Fëmija është i mamit dhe e mbaj unë për të fituar lekë për të blerë bukë”- shprehet një nga fëmijët që lup në rrugë dhe mban në krahë një foshnjë. 

Mbetet enigmë sesi foshnjat rome nuk qajnë apo reagojnë për orë të tëra teksa mbahen në duar si manekinë nga persona që abuzojnë hapur. 

Kjo fëmijë pranon se është nëna që e ka nxjerrë në rrugë për të fituar bukën e gojës, por ka dhjetëra të tjerë që nuk i përgjigjen kësaj pyetje nga frika e atyre që përfitojnë nga puna e të miturve. Sipas disa studimeve, në vendin tonë numërohen 4541 fëmijë në situatë rruge, ndërkohë që 1/3 e tyre janë në rrezik trafikimi. 

Na Ndiqni ne FB Banner

Submit a comment