AAB: Funksionimi dhe stabiliteti i bankave tregtare në vend janë të pa cënuara

baShoqata Shqiptare e Bankave siguron qytetarët, depozituesit dhe klientët se funksionimi dhe stabiliteti i bankave tregtare në vend nuk janë cënuar. Deklarata e Shoqatës së Bankave vjen përmes një njoftimi zyrtar, pas situatës së fundit të krijuar me arrestimin e ish guvernatorit Ardian Fullani dhe 18 personave të tjerë, lidhur me vjedhjen e 713 milionë lekëve në Bankën e Shqipërisë.

“Duke marrë shkas nga zhvillimet e fundit që kanë përfshirë Bankën e Shqipërisë, Shoqata Shqiptare e Bankave (AAB), në emër të gjithë bankave anëtare të saj, dëshiron të risigurojë publikun dhe të gjithë depozituesit dhe klientët se funksionimi dhe stabiliteti i bankave tregtare në vend nuk janë cënuar”, thuhet në deklaratë.
Siç reflektohet edhe nga pasqyrat financiare, të cilat AAB i ka publikuar vazhdimisht, vijon deklarata, sistemi bankar shqiptar mbetet likuid, i mirëkapitalizuar, me një rritje të vazhdueshme dhe një performancë të qëndrueshme.
“AAB dhe bankat anëtare të saj do të vazhdojnë të bashkëpunojnë me Bankën e Shqipërisë, si dhe institucione të tjera financiare kombëtare dhe ndërkombëtare, për të siguruar ruajtjen e stabilitetit financiar në vend”, përfundon njoftimi i Shoqatës.

Na Ndiqni ne FB Banner

Submit a comment