8-mujori- Të ardhurat në buxhet u rritën rreth 12 %

drejtoria e financaveeTë ardhurat në buxhetin e shtetit gjatë periudhës janar-gusht të këtij vitit llogariten 236.3 miliardë lekë, ose 12.3% më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Kjo rritje e të ardhurave me rreth 12 % mbi planifikimin në fillim të vitit lejoi qeverinë të mund të rishikonte buxhetin duke bërë shpërndarje të fondeve drejt mbeshtetjes së politikave prioritare të programit të saj.

Rishpërndarja e fondeve ishte një masë që u kërkua të zbatohej nga qeveria edhe në muajin qershor, në negociatat me ekipin e Fondit Monetar Ndërkombëtar, ashtu siç u parashtruan edhe në fillim të muajit shtator në tryezën e bisedimeve. Por, FMN i sugjeroi qeverisë shqiptare se nëse të ardhurat vijojnë të jenë mbi planin këtë vit, autoritetet duhet të rindërtojnë një mbulesë për t’u mbrojtur kundër rreziqeve fiskale dhe të pakësuar barrën e rritjes së taksave në vitin 2015 dhe përtej këtij viti. Ministria e Financave në përfundim të negociatave ka arritur të bindë FMN-në për rishpërndarje fondesh dhe jo për krijimin e fondit të rreziqeve.
Debatit të mbyllur të qeverisë me FMN-në i hodhi pak dritë Kryeministri Edi Rama në deklaratën për shtyp të një ditë më parë kur prezantoi para mediave detaje të draftit të rishikimit të buxhetit të vitit 2014, tashmë miratuar nga Këshilli i Ministrave.
“Janë 3.2 miliardë lekë ose 32 milionë dollarë që janë as më shumë e as më pak, por përtej objektivit ambicioz të vendosur sëbashku me Fondin Monetar Ndërkombëtar, që na japin mundësinë që qysh këtë vit të fillojmë me uljen e defiçitit dhe të borxhit publik, edhe pse objektivi i vendosur bashkërisht me FMN-në ishte që ulja e deficitit dhe e borxhit të fillonte vitin e ardhshëm”, deklaroi Kryeministri Rama.
Është e para herë, vijoi ai, pas 5 vitesh rresht, që rishikimi i buxhetit nga Qeveria bëhet me rritje, jo me rënie. “Që do të thotë se, kemi pasur fatkeqësinë që për 5 vite rresht të kishim një Qeveri që bënte parashikime përtej mundësisë, duke shfrytëzuar paratë e parashikuara, por që nuk i kishte, për “tamtame” propagandistike dhe pastaj në fund të vitit kthehej në parlament për ta rishikuar buxhetin me ulje. Për herë të parë pas 5 vitesh e rishikojmë buxhetin me rritje”, deklaroi Rama.
Për të mbërritur në një rishikim me rritje të buxhetit në muajin e 9 të zbatimit të tij, statistikat e ministrisë së Financave tregojnë se pikërisht Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, mban peshën kryesore në përmirësimin e rendimentit të të ardhurave, duke sjellë mbi 80% të rritjes së të ardhurave nga tatimet e doganat në total. Edhe Tatim Fitimi, Akciza dhe Kontributet nga Sigurimi Shoqëror dhe Shëndetësor kanë ndikuar pozitivisht në rritjen e të ardhurave buxhetore.
Sipas të dhënave paraprake të publikuara nga ministria e Financave për periudhën janar-gusht 2014, të ardhurat nga TVSH-ja llogariten rreth 82 miliardë lekë, ose 16.3% më të larta se janar-gusht 2013.
Të ardhurat nga Tatim- Fitimi arritën 13.9 miliardë lekë, rreth 35% më shumë se 8 mujori i 2013-s. Të ardhurat nga Akciza llogariten 24.9 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej rreth 6% , duke iu kthyer për herë të parë zgjerimit përgjatë këtij viti, pas rënies që u konstatua muajt e parë të vitit, për shkak të rritjes së importeve nga bizneset në muajin gjetor para hyrjes në fuqi të niveleve të rritura të akcizës për disa produkte. Ndërkohë, si Tatim mbi të Ardhurat janë mbledhur rreth 18.3 miliardë lekë për 8-mujorin, ose 6% më pak se e njëjta periudhë e një viti më parë. Kjo për shkak të uljes së nivelit të taksës për pagat e ulëta në fillim të vitit. Në rritje rezultojnë që nga fillimi i vitit edhe të ardhurat e pushtetit vendor, të cilat në tetë muaj janë në total 8.6 miliardë lekë, nga 7.1 në të njëjtën periudhë më 2013. Defiçiti buxhetor në fund të gushtit rezulton gati sa gjysma e atij të një viti më parë, duke kaluar në 30.6 miliardë lekë, nga 58 miliardë një vit më parë.

Na Ndiqni ne FB Banner

Submit a comment