Zgjerimi i BE në Ballkan, lihet pezull për një kohë të pacaktuar

“neweurope.eu”

Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, janë të lidhura në mënyrë të pashmangshme mes tyre nga vonesa e gjatë e procesit të anëtarësimit për në Bashkimin Evropian, por kjo për arsye të ndryshme. Shqipëria ka problemin e përhershëm të kultivimit të drogës, që nuk mund të kapërcehet nëse Tirana nuk i jep Brukselit prova të padiskutueshme për të kundërtën.

Kjo është e vështirë, por jo e pamundur. Megjithatë, nuk duhet të ketë dyshim se për këtë do të duhen vite. Maqedonia e Veriut, është një rast tjetër. Për gati dy dekada, Greqia vuri veton ndaj fillimit të negociatave për anëtarësim në BE, në rast se nuk zgjidhej mosmarrëveshja mbi emrin e ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë.

Me nënshkrimin vitin e kaluar të Marrëveshjes së Prespës, që zgjidhi mosmarrëveshjen mbi emrin, teksa të dyja vendet ranë dakord mbi emrin  “Maqedonia e Veriut”, Athina hoqi veton ndaj anëtarësimit të vendit në NATO, ndërsa marrëveshja kërkon gjithashtu heqjen e vetos ndaj procesit të anëtarësimit të Shkupit në BE.

Anëtarësimi në NATO, është i dobishëm vetëm për aleancën e Atlantikut të Veriut, ndërsa ka kosto të konsiderueshme për Shkupin, pasi qeveria e Maqedonisë Veriore, do të duhet të dyfishojë gradualisht madhësinë e buxhetit të saj për mbrojtjen, por në këmbim do të shohë pak përfitime kompensuese.

Përfshirja me sukses e Shkupit në NATO, i pengoi rusët të siguronin një pikëmbështetje të rëndësishme në Ballkan. Për pasojë, prania e vetme politike e Rusisë në rajon është tani në Serbi. Por edhe kjo, nuk duket se do të zgjasë për shumë kohë.

Anëtarësimi në NATO, që duhet ende të zyrtarizohet, do të sjellë praktikisht vetëm detyrime dhe humbje të mëdha për Maqedoninë e Veriut. Në praktikë, shpresa e vetme e Shkupit është pranimi në Bashkimin Evropian.

Por në vend ka tashmë një shqetësim të madh, që kur u kuptua se nuk do të ketë një datë konkrete për të filluar që këtë vit negociatat e pranimit. Arsyeja e vërtetë është se disa shtete anëtare – Franca, Holanda, dhe tani me sa duket edhe Gjermania – nuk kanë dëshirë ta zgjerojnë më tej Bashkimin Evropian, derisa të kalojë ndikimi negativ i Brexit.

Kjo do të thotë se BE-ja – përpara shqyrtimit të një zgjerimi të mëtejshëm – duhet të ushtrojë një kontroll efektiv të dëmeve të ngjarjeve të ndryshme centrifugale, që po e rritin paqëndrueshmërinë në bllok. Përveç Brexit, dobësimi i rrezikshëm i partive politike tradicionale kryesore dhe çështjet e emigracionit, janë kërcënime serioze për stabilitetin socio-politik të Bashkimit Evropian që duhen adresuar, para se të mendohet ndonjë lloj zgjerimi i ri.

BE-ja i ka dhënë sot përparësi fillimit të negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, dy vende që janë institucionalisht të dobëta në aspektin e parakushteve që kërkon unioni, dhe kjo nënkupton që blloku nuk është gati të zgjerohet.

Nëse Bashkimi Evropian do të kishte dëshiruar realisht të zgjerohej më tej, do ta kishte filluar me Serbinë, një vend që shumë ekspertë e cilësojnë se është në një situatë edhe më të mirë për t’ju bashkuar BE-së sesa të tjerët që tashmë janë anëtarë, përfshirë edhe Kroacinë.

Maqedonia Veriore, u kishte siguruar deri tani burokratëve evropianë, të gjitha arsyet e nevojshme, për të shtyrë procesin e anëtarësimit. Gjatë dy dekadave të fundit, Shkupi u angazhua në një betejë të pakuptimtë për të ushtruar presion ndaj Greqisë, për ta njohur atë si “Maqedoni”.

Njëherazi, Maqedonia e Veriut nuk po bënte asgjë për reformat që ishin të nevojshme, për ta afruar institucionalisht vendin më pranë BE-së. Në disa aspekte, si është sundimi i ligjit, Shkupi kishte ecur ndjeshëm prapa. Dhe kur u zgjidh konflikti i emrit vitin e kaluar, Maqedonia e Veriut ishte e papërgatitur për të bërë hapin e madh drejt BE-së. Rrjedhimisht, Brukseli e ka një justifikim të fortë për të mos hapur për momentin negociatat.

Përpjekja për të bërë shantazh nga ana e kryeministrit të Maqedonisë Veriore, Zoran Zaev, që paralajmëroi Brukselin se nëse vendi i tij nuk do të marrë menjëherë një datë për të çelur negociatat e pranimit në BE, ai do thërrasë zgjedhjet e parakohshme, të cilat mund të fitohen nga opozita anti-BE, është cilësuar si një “shaka groteske” nga një pjesë e zyrtarëve të lartë të Brukselit.

Negociatat me makinerinë më të sofistikuar administrative në botë, kërkojnë shumë me tepër sesa kërcënimet nga një partner aspirant, që ka pak mjete presioni në duar. Brukseli, mori tashmë atë që donte nga Maqedonia e Veriut – një anëtare të re të NATO-s, që bllokon ndikimin negativ të Rusisë në rajon.

Sa i përket çështjes nëse qeveria Zaev, do të mbetet apo jo në pushtet jo, Komisioni Evropian do të kishte argumente shtesë për të vonuar hapjen e negociatave për zgjerimin, nëse në Shkup vjen në pushtet një qeveri e re euroskeptike.

Përktheu:Alket Goce

Submit a comment