Zgjedhjet e PE, kandidatët duhet të adresojnë racizmin strukturor, që ekziston në Bashkimin Evropian

Nga Hande Taner “TRT World”

Një vit më parë, eurodeputeti holandez Marsel de Graf, që bashkë-kryeson grupin e Evropës së Kombeve dhe Lirisë, i përshkroi myslimanët si një kërcënim të rrezikshëm, dhe i akuzoi ata për “fillimin e kthimit të Evropës në Mesjetë”.

Ai e ka barazuar fenë islame me “pabarazinë gjinore, poligaminë, martesën e fëmijëve, skllavërinë, dhe vrasjet për nder”. Ky është mjerisht lloji i retorikës, me të cilin myslimanët tashmë janë mësuar.

Në kundëpërgjigje, Grupi Europian kundër Racizmit dhe Diversitetit (ARDI), së bashku me 50 deputetë dhe Forumin Rinor Mysliman dhe Organizatat Studentore të Evropës (FEMYSO), botoi një letër të hapur drejtuar presidentit të Parlamentit Evropian, Antonio Tajani.

Ata kërkuan ndërmarrjen e veprimeve të duhura, për të denoncuar retorikën e urrejtjes anti-islamike në Parlamentin Evropian. Deri më sot, Tajani nuk i është përgjigjur kësaj letre, dhe as nuk ka marrë ndonjë veprim kundër De Graf, në emër të Parlamentit Evropian.

Një fjalim i tillë, është reflektim i rrezikshëm i retorikës që përdoret nga ekstremistët supremacistë, që duan të heqin qafe myslimanët për të “pastruar” shoqëritë e tyre, nga kërcënimi ekzistencial që ata supozohet se paraqesin.

Në thelb të argumenteve të De Graf, dhe shumë politikanëve të tjerë evropianë, janë të njëjtat ide që motivuan një terrorist të sulmonte 2 xhami dhe vriste 51 besimtarë në Kristçërç. Shpërfillja e sulmeve në Zelandën e Re si një dukuri e largët dhe e tmerrshme, nënkupton injorimin e rrënjëve lokale të dhunës që prodhoi atë masakër.

Parlamenti Europian, duhet të reagojë për t’i dhënë fund të gjitha formave të fjalimit të urrejtjes, dhe për t’u dërguar një mesazh të fortë të gjithë kandidatëve për deputetë në vendet kandidate, se fjalimi i urrejtjes në fushatat zgjedhore nuk do të tolerohet.

Gjuha e urrejtjes, përfshin nxitjen efektive të urrejtjes ndaj një individi të caktuar, siç është nxitja e urrejtjes anti-mysimane nga ana e udhëheqëses franceze të Tubimit Kombëtar, Marin Lë Pen, kur Jasmin Uahen fitoi Çmimin e Evropianes së Re për këtë vit.

Por kjo gjithashtu mund të nënkuptojë një demonizim të vazhdueshëm të të gjitha grupeve dhe institucioneve të tyre, një tipar i shumë partive dhe lëvizjeve të krahut të djathtë. Është koha që Komisioni Evropian, Këshilli dhe Parlamenti, të njohin ekzistencën e një ideologjie të bardhë ekstremiste botërore.

Vrasësi norvegjez i ekstremit të djathtë Andrej Breivik, që kishte frikë nga “vetëvrasja kulturore evropiane” që po nxitej sipas tij nga myslimanët, kishte të njëjtën ideologji ekstremiste si terroristi që kreu sulmet e Kristçërç, disa prej të cilave i kanë rrënjët në propagandën ekstreme të së djathtës serbe, që motivonte vrasjet e 8.000 burrave myslimanë në gjenocidin e Srebrenicës.

Në fakt, gazeta austriake “Der Standard”, ka nxjerrë në pah lidhjet e terroristëve në rrjetet e ekstremit të djathtë në ushtrinë gjermane dhe austriake. Dhe ato nuk duhet të cilësohen si një surprizë. Të dhënat nga Agjencia për të Drejtat Themelore të BE-së, OSBE-ja dhe shumë organizata të shoqërisë civile, kanë paralajmëruar prej kohësh një rritje të madhe të sulmeve anti-muslimane.

Ato flasin ndërkohë për rritjen e qeverive të ekstremit të djathtë, partive dhe lëvizjeve në Evropë, të cilat kombinojnë fjalimin racist dhe axhendat anti-evropiane. Sulmet terroriste në Zelandën e Re, u shkaktuan nga ideologjia supremaciste e bardhë që kërcënon si myslimanët, ashtu edhe të gjithë projektin evropian.

Por pse Parlamenti Evropian dhe Këshilli i BE-së, nuk kanë miratuar ende rezolutat për të luftuar Islamofobinë? Parlamenti Evropian, mund ta votojë një rezolutë vetëm nëse paraqitet një mocion nga eurodeputetët. Këshilli i BE-së, si institucioni ndërqeveritar i BE-së, drejtohet çdo 6 muaj nga një shtet anëtar i ndryshëm.

Mungesa e angazhimit për të luftuar Islamofobinë, nuk është për t’u habitur, duke qenë se presidenca e fundit drejtohej nga qeveria austriake e krahut të djathtë. Në fakt, që kur islamofobia është shndërruar në një praktikë të pranuar në gati të gjitha shtetet anëtare të BE-së, është po aq e habitshme

pse Këshilli nuk ka treguar asnjë prirje për të mbrojtur komunitetet myslimane. Sulmi në Kristçërç ndodhi 70 ditë para zgjedhjeve evropiane. Kjo duhet të shërbejë si një këmbanë alarmi, që Parlamenti dhe Këshillin Evropian, të miratojë një deklaratë mbi luftën kundër islamofobisë, dhe zhvillimin e një qasjeje të përbashkët të sigurisë, për të mbrojtur më mirë komunitetet dhe institucionet myslimane në Evropë.

Ajo duhet të ftojë shtetet anëtare të BE-së që të miratojnë dhe zbatojnë një strategji gjithëpërfshirëse, për të parandaluar dhe luftuar të gjitha format e islamofobisë, si pjesë e politikave të tyre për parandalimin e racizmit, ksenofobisë, radikalizimit dhe ekstremizmit të dhunshëm

BE-ja duhet të tregojë, se nuk është duke e mbyllur njërin sy ndaj ekstremizmit politik, dhe në asnjë nga format e tij. Është përgjegjësi e Komisionit, Këshillit dhe Parlamentit Evropian të mbrojnë të gjithë qytetarët dhe banorët e BE-së, të çdo lloj origjine dhe besimi fetar.

Shënim:Hande Taner, është një studente holandeze e diplomuar në çështjet evropiane në Universitetin Shkenca Po në Paris, dhe Shkollën e Ekonomisë në Londër. Ajo është gjithashtu drejtore e Fushatave në Forumin Rinor Mysliman, dhe Organizatave Studentore të Evropës (FEMYSO).

Përktheu:Alket Goce

 

Submit a comment