Zelandë e Re, 49 të vrarë dhe dhjetëra të plagosur, në një sulm terrorist mbi dy xhami

“The Guardian”

Të paktën 49 persona janë vrarë, dhe dhjetëra të tjerë kanë mbetur të plagosur, gjatë një sulmi me armë mbi 2 xhami në qytetin Kristçërç në Zelandën e Re. Sipas policisë nga 40 viktimat e konfirmuara deri tani, 30 u vranë në xhaminë Al Nor, dhe 10 të tjerë u vranë në xhaminë Linud.

Ngjarja e rëndë, ndodhi pikërisht gjatë kohës që besimtarët myslimanë ishin mbledhur në xhami, për lutjet e së premtes. Sipas të dëshmitarëve okularë, një nga autorët e masakrës është një burrë i bardhë, që mbante një helmetë në kokë, dhe në trup një jelek anti-plumb.

Megjithatë policia tha se ka arrestuar deri tani 4 persona, njëri prej të cilëve një australian, të cilët ndodhen tashmë në paraburgim. Ndërkohë dhjetëra të plagosur, ndodhen në spitalet e qytetit. Mjekët thonë se një pjesë e tyre, janë në gjendje kritike për jetën.

Kryeministrja e Zelandës së Re, Xhakinda Ardern e përshkroi aktin si një “sulm terrorist”, edhe pse theksoi se asnjë prej të dyshuarve nuk kishte qenë në listat e sigurisë ose të terrorizmit. Ardern thotë se Zelanda e Re është “zgjedhur për këtë akt dhune”, pasi ky vend është një shembull i multikulturalizmit, diversitetit dhe pranimit.

“Ne neo-zelandezët nuk u zgjodhëm për këtë akt të dhunshëm, për shkak se jemi racistë, apo pse jemi një enklavë ekstremiste. Ne u zgjodhëm për faktin se nuk jemi asgjë nga këto”- tha ajo. Ardern i drejtoi më pas një mesazh të gjithë atyre që u prekën direkt nga kjo tragjedi”.

“Për shumë prej tyre, ky nuk mund të mos ketë qenë vendi ku kanë lindur. Por për shumë prej tyre, Zelanda e Re ishte zgjedhja e tyre, një vend ku ata u angazhuan në mënyrë aktive. Është një vend, ku shumë njerëz kanë ardhur për sigurinë e tyre. Një vend, ku ka qenë i sigurtë praktikimi i kulturës dhe fesë së tyre.

Ne përfaqësojmë diversitetin dhe dhembshurinë, një shtëpi për ata që ndajnë vlerat tona, një strehë për ata që kanë nevojë për to. Dhe këto vlera nuk mund, dhe nuk do të të tronditen nga ky sulm. Ne jemi një komb krenar i më shumë se 200 etnive, dhe i 160 gjuhëve të botës- theksoi ajo.

Ndërkohë, policia u ka bërë thirrje banorëve të mos dalin në qendër të qytetit, dhe as në rrugët kryesore, ndërsa të njoftojnë për çdo lloj sjelljeje të dyshimtë. Për shkak të situatës së sigurisë, nxënësit po qëndrojnë ende mbyllur nëpër klasa. Për çështje sigurie, të gjitha ndërtesat publike janë rrethuar nga forcat e sigurisë.

Qyteti Kristçërç ndodhet në ishullin jugor të shtetit të Paqësorit. Ai ka 350 mijë banorë, dhe është i treti për nga madhësia në Zelandën e Re. Edhe në Australi, policia është vënë në gatishmëri maksimale. Ajo ka shtuar patrullimet, dhe zyrtarët e lartë kanë kontaktuar udhëheqësit e komunitetit dhe ata të besimeve fetare, për të siguruar mbështetje dhe siguri.

Përktheu:Alket Goce

Submit a comment