Xhihadizmi në rënie, ja kush do jenë format e reja të ekstremizmit të dhunshëm

Nga Steven Metz “World Politics Riview”

Që nga 11 shtatori, çdo përmendje e ekstremizmit të dhunshëm, i referohet zakonisht xhihadizmit selefist dhe të ngjashmëve të Al-Kaidës, më së fundmi vetë ISIS-it. Ndonëse nuk është lloji i vetëm i ekstremizmit, që shqetëson sot botën, brutaliteti sociopatik dhe vetë-publiciteti i sëmurë i këtyre grupeve xhihadiste, i ka vënë ato në qendër të vëmendjes.

Në mendjet e shumë njerëzve, Al-Kaida dhe degët e saj ishin paradigma e ekstremizmit të dhunshëm. Sot xhihadizmi është larg nga qenit i mposhtur, edhe nëse Shteti Islamik në Siri dhe Irak është shkatërruar.

Nga Boko Haram në Nigeri tek talebanët në Afganistan, grupet xhihadiste vazhdojnë të tërheqin rekrutë, dhe të gjejnë mënyra të reja për të vrarë njerëz. Por aftësia e xhihadizmit për të frikësuar armiqtë e tij, po pakësohet. Si një lëvizje ekstremiste, ai do të vazhdojë të ekzistojë edhe për shumë vite, por vetëm si një forcë periferike.

Por për fat të keq, kjo humbje nuk do të sjellë paqe. Me lidhjen globale në rritje, që përforcon zemërimin, dhe mjetet e dhunës që janë në dispozicion, do të dalin forma të reja të ekstremizmit të dhunshëm. Në fakt, ato tashmë kanë lindur.

Sistemet e ligjshme, madje edhe sistemet kryesore të besimit, do prodhojnë ndoshta degëzime kanceroze, që mund të ushqejnë një ideologji të re ekstremiste. Ndërsa është e vështirë të dihet saktësisht, se cilat lloje të ekstremizmit do të lulëzojnë apo do të zhduken, shanset janë që të paktën njëri prej tyre do ta rrezikojë botën.

Merrni dhunën mes bandave të drogës, që aktualisht po shqetësojnë Meksikën dhe Amerikën Qendrore. Të ushqyer nga paratë e drogës, dhe me një furnizim të qëndrueshëm në rekrutë, bandat kriminale si Los Zetas në Meksikë, kanë zhvilluar një ideologji vdekjeprurëse duke e nxitur zemërimin e pjesëtarëve më ekstremiste të pjesëve të margjinalizuara, dhe të nënvleftësuara të shoqërisë.

Narkotrafikantët në Meksikë, duke përfshirë një grup të njohur si Kalorësit Templarë, e kanë justifikuar dhunën brutale ndaj shtetit apo bandave konkurruese dhe cilitdo që konsiderohet armik, me një përzierje të vetë-interesit kriminal dhe ideologjisë pseudo-fetare.

Këto grupime, mund të zgjerohen në rajon dhe përtej tij, pasi bandat në Meksikë dhe Amerikën Qendrore, zhvillojnë aleanca dhe rrjete me organizata kriminale me mendje të ngjashme. A mund ta kapërcejë kriminaliteti transnacional, rebelimin xhihadist ekstremist, si një rrezik për sigurinë?

Ndërsa marrin formë format e reja të ekstremizmit, qeveritë duhet të shohin nga afër grupet në zhvillim me prirje të dhunshme. Ose merrni rritjen e nacionalizmit të bardhë të dhunshëm në Amerikën e Veriut, Europë, Australi dhe Zelandë të Re, që tashmë ka treguar rrezikshmërine e madhe që ka. Njerëzit gjithnjë e më të zemëruar dhe të distancuar nga pjesa e shoqërisë – kryesisht kryesisht të rinjtë – lidhen me njëri-tjetrin në internet, krijojnë një ideologji të errët që shtrembëron historinë dhe mitet, duke huazuar ide nga ideologjitë ekzistuese të bazuara mbi racizmin, si nazizmi.

Ato ndihmohen nga integrimi i politikave nacionaliste të supremacistëve të bardhë në të gjithë Perëndimin dhe në Shtetet e Bashkuara. Më ekstremistët prej tyre, lavdërojnë vrasësit sociopatë si Anders Breivik dhe Dilan Ruf. Rreziku është që këta vrasës si “ujqër të vetmuar”, të evoluojnë në diçka më të organizuar dhe më të rrezikshme.

Vala tjetër e ekstremizmit të dhunshëm, mund të lindë gjithashtu nga individët dhe organizatat e kërcënuara nga teknologjia dhe epoka e ardhshme e automatizimit dhe inteligjencës artificiale. Pavarësisht të gjitha premtimet mbi këtë teknologji të re, kjo mund të jetë gjithashtu një kohë e rrezikshme, pasi makinat po zëvendësojnë gjithnjë e më shumë njerëz nëpër industri. Miliona njerëz të tepërt për shkak të teknologjisë, do të jenë të zemëruar dhe të pambrojtur ndaj ideologjive, që shpjegojnë se duhet të luftojnë kundër makinave, dhe atyre që përfitojnë prej tyre.

Veprimet e dhunshme individuale, mund të bashkohen në lëvizje dhe organizata të ndryshme. Edhe ndryshimet klimatike mund të ushqejnë ekstremizmin, dhe ato mund të synojnë elitën globale jo për politikën e tyre, por thjesht për aftësinë e tyre, për të shmangur vuajtjet nga ky fenomen

Ndërsa xhihadizmi zbehet, dhe marrin formë format e reja të ekstremizmit të dhunshëm, qeveritë dhe të tjerët që kanë për detyrë të mbrojnë shoqëritë e tyre, duhet të shikojnë më nga afër bashkimin e ideologjive, dhe grupeve në zhvillim që kanë prirje të dhunshme.

Përktheu:Alket Goce

Submit a comment