Votimi i OKB-së për Libinë konfirmon aksin Romë-Uashington

Vota e Këshillit të Sigurisë të OKB-së kundërshton strategjinë franceze të votimit në Libi më 10 dhjetor. Rezoluta e propozuar nga Mbretëria e Bashkuar flet për zgjedhjet që duhet të mbahen sa më parë, por “me kusht që kushtet e nevojshme të sigurisë, teknike, legjislative dhe politike të jenë të pranishme”. Diçka shumë e ndryshme nga koha e vendosur nga Emmanuel Macron, i cili në takimin e Parisit midis fraksioneve të ndryshme libiane, propozoi datën e votimit si një imazh të udhëheqjes së tij mbi Libinë.

Dhe në të vërtetë, pas votimit në Këshillin e Sigurimit, nga Quai d’Orsay erdhën fjalë të mira por që shfaqnin irritime: “Franca do të vazhdojë, së bashku me partnerët e saj, të mbështesë përpjekjet e autoriteteve libiane dhe të OKB-së për të garantuar vazhdimin e procesit politik dhe në veçanti të sigurojë kushtet për mbajtjen e zgjedhjeve deri në fund të vitit”. Shkurt, Macron nuk dorëzohet.

Vendimi për të vendosur një ditë të veçantë për të votuar ka qenë gjithmonë një çështje e kontrastit të fortë me Italinë. Qeveria e Giuseppe Conte nuk e ka mohuar kurrë ta konsiderojë jashtëzakonisht të gabuar zgjedhjen për të vendosur një datë para pacifikimit të vërtetë të Libisë. Ministrat italianë të përfshirë në dosjen libiane kanë deklaruar në mënyrë të përsëritur se i konsiderojnë zgjedhjet si domosdoshmëri për vendin e Afrikës së Veriut, por jo para se të krijohet një situatë qetësie thelbësore ku mund të realizoheshin me garancitë që kërkohen sot nga vetë Këshilli i Sigurimit.

Strategjia italiane ka dëshmuar, me kalimin e kohës, të jetë fituese. Dhuna e Tripolit, brishtësia e Fayez al Sarraj dhe aktivizmi i milicive të lidhura me gjeneralin Khalifa Haftar e bënë të qartë se një votim i mundshëm nuk mund të arrihej deri në dhjetor. Janë të shumta të panjohurat për të ardhmen e vendit. Dhe ndarjet fisnore nuk lejojnë një afat të caktuar.

Por Italia kishte nevojë për një mbështetje. Dhe kjo mbështetje erdhi nga Shtetet e Bashkuara gjatë takimit midis Donald Trump dhe Giuseppe Conte në Shtëpinë e Bardhë. Presidenti amerikan, me këtë rast, i caktoi Italisë rolin e vendit udhëheqës të tranzicionit libian, duke minuar në mënyrë efektive Francën nga pozicioni që Macron kishte arritur përmes strategjisë së tij të gjatë politike midis Tripolit, Bengazit dhe Misuratës.

“Salla e kontrollit” për Mesdheun e zgjeruar të propozuar nga Italia dhe mbështetja politike për konferencën ndërkombëtare të kërkuar nga Roma për Libinë, demonstruan sinergjinë midis Italisë dhe Shteteve të Bashkuara. Por një manifestim i qartë i këtij aksi midis Mesdheut dhe Atlantikut ishte i nevojshëm deri më tani.

Dhe demonstrimi ndodhi me votimin e OKB-së. Shtetet e Bashkuara, nëpërmjet fjalëve të zëvendës ambasadorit në Palazzo di Vetro, Jonathan Cohen, konfirmuan strategjinë e teorizuar nga qeveria italiane. Zyrtari amerikan tha, në margjinat e votimit të Këshillit, se përkufizimi i një date të saktë për votimin libian do të kthehej kundër vet mbështetësve të tij.

Dhe bllokada amerikane në Këshillin e Sigurimit ka qenë ndoshta vendimtare për miratimin e rezolutës britanike me të cilën në fakt, përveç zgjerimit të misionit ushtarak të OKB-së në Libi në një vit, kundërshton atë që u propozua nga Parisi.

Kështu, aksi Romë-Uashingtoni mbetet konkret. Italia domosdoshmërisht kishte nevojë për mbështetjen e një superfuqie për të vazhduar tezën e saj mbi Libinë. Sidomos tani që, me rënien e konsiderueshme të Sarraj, dukej e pashmangshme supozimi nga lidershipi i Francës për tranzicionin e vendit të Afrikës së Veriut.

Natyrisht gjithçka ka një çmim. Bekimi i Trumpit për Conten dhe idetë italiane për Libinë ishin njëkohësisht me miratimin publik të tubacionit Tap gjatë konferencës për shtyp të Shtëpisë së Bardhë. Dhe ndërkohë, importet e naftës nga Shtetet e Bashkuara janë rritur në një nivel rekord, siç është konfirmuar nga programi F-35, i cili kryesisht është injoruar nga elektorati i shumicës parlamentare.

Italia nuk nisej nga një pozitë e favorshme. Dhe kjo pati qartësisht një peshë në zgjedhjet përfundimtare të qeverisë. Por për të shmangur që Parisi të merrte superxhiro mbi Romën, rrugët alternative nuk mund të zgjidheshin. Dhe tani, strategjia zgjedhore italiane, pas takimit të Bengazit midis Haftar dhe ministrit Enzo Moavero Milanesi, duket se ka prodhuar një shkelje të vogël edhe në Cyrenaica.

Sipas disa burimeve, vetë Marshalli libian do t’i konfirmonte Ministrit të Jashtëm se në Libi nuk ka ende kushte për të shkuar në votime më 10 dhjetor, sipas kalendarit të miratuar në konferencën e Parisit majin e kaluar. Në fund të fundit, ishte i njëjti njeri i fortë i Tobruk, në takimin me shefat fisnor në Bengazi, i cili paralajmëroi se nëse zgjedhjet në Libi nuk do të ishin “transparente”, ushtria e tij do t’i ” shkatërronte”. Një mesazh i qartë që kishte dy destinacione: Italinë dhe Francën.

Përktheu: Jonilda Zaimaj

Submit a comment