VENEZUELA: Pse ndodhi kolapsi?

Presidenti venezuelian Nicolas Maduro të mërkurën i dha diplomatëve amerikanë 72 orë për t’u larguar nga vendi në përgjigje të vetëshpalljes së kryetarit të Asamblesë Kombëtare president të vendit, në mes protestave masive.

Disa orë pasi Presidenti Donald Trump zyrtarisht njohu kreun e opozitës Juan Guaido si president legjitim të vendit, Maduro sfidues u shfaq përpara mbështetësve për të akuzuar Shtetet e Bashkuara si mbështetëse të një grushti shteti.

Maduro njoftoi se po priste lidhjet e mbetura politike dhe diplomatike me Uashingtonin. “Ne nuk mund të pranojmë politikat pushtuese të perandorisë, Shteteve të Bashkuara, politikat e Donald Trump”, tha ai mes brohoritjeve nga turma. “Venezuela është një vend i çlirimtarëve.”

“Ne nuk do të dorëzohemi,” shtoi Maduro.

Po si është shpalosur kriza dhe si ka mbërritur Venezuela deri në këtë pikë? Lexoni më poshtë një përmbledhje të përgatitur nga Bota.al

PSE NDODHI EKSODI?

Ekonomia dhe rendi shoqëror i Venezuelës po pësojnë kolaps, duke lënë 75 për qind të popullsisë së varfër dhe pa ushqim të mjaftueshëm. Monedha fizike, bolivari, është e pavlerë, ndërsa petro – monedha e re dixhitale që presidenti socialist Nicolás Maduro prezantoi vitin e kaluar, e lidhur me çmimin e naftës – është kryesisht fiktive. FMN parashikon që inflacioni i vendit mund të arrijë 10 milionë për qind këtë vit. Jo se ka shumë për të blerë: Raftet e dyqaneve janë bosh, dhe ushtarët ruajnë depot kundër plaçkitësve. Shumica e venezuelianëve tani janë të privuar nga proteina, dhe ata “tallen seriozisht” për “dietën e Maduro”, që i ka lënë të rriturit të hollë dhe fëmijët të kequshqyer. Spitaleve u mungojnë ilaçet dhe furnizimet bazë, dhe pacientëve që do kryejnë ndërhyrje kirurgjikale, u është thënë të sjellin produktet e tyre të pastrimit dhe fashot. Shkalla e vrasjeve është rritur me 15 herë më shumë se sa mesatarja globale dhe krimi është i shfrenuar. “Të vjedhin në rrugë, në plazh, në treg, në spital”, thotë mësuesi Yamileth Marcano. “Është e tmerrshme të jetosh kështu”.

ÇFARE E SHKAKTOI KOLAPSIN

Regjimi radikal socialist i ngritur nga Hugo Chavez funksionoi mirë për disa vite – derisa e shkatërroi vendin. I zgjedhur për herë të parë në vitin 1998, Chavez rishpërndau tokat e vendit dhe pasurinë masive të naftës për të përfituar të varfërit, duke financuar programet e tij përmes shtetëzimit të industrisë së naftës – e cila tani përbën 98 përqind të të ardhurave nga eksporti – dhe bankat. Por kontrollet e tij të çmimeve mbytën bizneset e vendit, dhe deri në kohën kur Chavez vdiq në vitin 2013, inflacioni ishte rritur me gati 50 përqind. Më pas, çmimet globale të naftës ranë në mënyrë dramatike, duke lënë pasuesin e tij, Maduro, me një recesion që u shndërrua në krizë. Pa vërshimin e dollarëve të jashtëm të naftës që do të përdoreshin për të blerë produkte, importet shteruan dhe raftet e nevojave themelore u zbrazën. Ndërkohë, vendi u bë një narko-shtet, me shumë gjeneralë të lartë dhe politikanë – përfshirë ish-nënpresidentin Tareck El Aissami – të paditur në SHBA për trafikun e drogës dhe pastrimin e parave. Në vend që t’i adresonte këto probleme në mënyrë pragmatike, Maduro i shpenzoi energjitë e veta për të shtypur kundërshtimet dhe parandaluar një grusht shteti.

SI MBIJETOI?

Përmes ushtrimit të dhunshëm të pushtetit. Opozita fitoi zgjedhjet parlamentare në vitin 2015 dhe tani dominon Asamblenë Kombëtare. Por Maduro prezantoi ndryshime që gërryenin fuqinë e kuvendit; ai pastaj krijoi një Asamble të re Kushtetuese, të mbushur me përkrahësit e tij, për të rishkruar kushtetutën. Nën maskën e një spastrimi kundër korrupsionit, ai hoqi besnikët kryesorë të Chávezit, që mund ta sfidonin atë, siç ishte ish-shefi i naftës shtetërore, Rafael Ramirez dhe burgosi udhëheqës karizmatikë të opozitës si Leopoldo López. Kur ushtria filloi të bëzante, Maduro e spastroi atë brutalisht. Shtatë gjeneralë, të cilët kontrollonin së bashku 60 përqind të trupave, u arrestuan marsin e kaluar në akuzat e komplotit. “Jo vetëm që agjentët e inteligjencës arrestojnë dhe torturojnë pjesëtarë të ushtrisë,” thotë José Miguel Vivanco i Human Rights Ëatch, “në disa raste ata shkojnë edhe tek familjet e tyre ose civilë të tjerë”.

PSE NUK ISHIN NGRITUR NJEREZIT?

Protestat filluan seriozisht në vitin 2014, një vit pasi Maduro mori detyrën dhe ato janë ndezur çdo vit që nga ajo kohë. Por regjimi i ka shtypur me dhunë këto demonstrata. Policët dhe bandat e armatosura pro-qeveritare, të njohura si colectivos, zakonisht rrahin, përdorin gaz lotsjellës, dhe madje edhe qëllojnë demonstrues. Qindra janë vrarë dhe mijëra janë arrestuar. Vitin e kaluar, ka pasur rezistencë shumë më pak të organizuar, pjesërisht për shkak se udhëheqësit e opozitës janë në mërgim ose të burgosur dhe pjesërisht për shkak se venezuelasit janë kryesisht të fokusuar në marrjen e ushqimit dhe mbijetesës – ose largimin nga vendi. Që kur Maduro mori detyrën, gati tre milionë njerëz kanë emigruar – rreth 7 përqind e popullsisë. Dhe eksodi vazhdon. “Duke marrë parasysh madhësinë e krizës së Venezuelës,” thotë Luis Almagro, sekretar i përgjithshëm i Organizatës së Shteteve Amerikane, “mund të ketë deri në 10 milionë Venezuelanë që do të duhet ta braktisin atë vend”.

KU KANE SHKUAR?

Më shumë se një milion janë në Kolumbinë fqinje, një gjysmë milioni janë në Peru, dhe shumica e pjesës tjetër kanë përfunduar në Ekuador, Argjentinë, Kili dhe Brazil. Në fillim, Kolumbia reagoi ndaj fluksit venezuelian me bujari, duke u ofruar imigrantëve leje pune dhe kujdes shëndetësor. Por me rreth 5,000 njerëz në ditë që lënë Venezuelën, qytetet kufitare thjesht nuk mund të përballojnë. “Ne po përjetojmë krizën më të egër migratore dhe humanitare në historinë e kohëve të fundit në rajon”, tha presidenti kolumbian Iván Duque në OKB vitin e kaluar.

A DO NDERHYJNE TE TJERET?

Pasi Maduro fitoi një mandat të ri gjashtëvjeçar vitin e kaluar në zgjedhje të manipuluara, 12 vende të Amerikës Latine, duke përfshirë Kolumbinë dhe Brazilin, thanë se nuk do ta njohin administratën e Maduros dhe janë zotuar ta izolojnë atë. Por një pushtim ushtarak nuk ka gjasa të ndodhë. Venezuela ende ka mbështetjen e aleatit socialist, Kubës, ndërsa Kina i ka dhënë kredi dhe Rusia ka ofruar ndihmë ushtarake. Ndryshimi do të duhet të vijë nga brenda. Asambleja Kombëtare e kontrolluar nga opozita nxorri këtë vit një udhëheqës të ri, Juan Guaidó, i cili sot po njihet nga shumë vende me në krye Amerikën, si presidenti i ri i Venezuelës.

IMPORTI I NAFTES VAZHDON

Shtetet e Bashkuara dhe Venezuela kanë lidhje të thella ekonomike dhe energjetike, por marrëdhëniet u përkeqësuan në vitin 2015, kur administrata e Obamës shpalli autoritarizmin e Maduro-s si një kërcënim për sigurinë kombëtare të SHBA dhe goditi venezuelasit me sanksione. Administrata e Trump shkoi edhe më tej, duke ngrirë pasuritë në SHBA të Maduros dhe zyrtarëve të tij të lartë bashkë me kompanitë e tyre, si dhe duke sanksionuar eksportet e arit të Venezuelës, kriptomonedhën e saj dhe kompaninë më të madhe të saj mediatike, Globovision. Maduro ka fajësuar sanksionet amerikane për problemet e vendit të tij, duke thënë se SHBA po zhvillon “luftë ekonomike” kundër tij. Por, edhe pse tensionet janë të larta, administrata Trump ka refuzuar të vendosë sanksione ndaj naftës venezueliane. Venezuela mbetet një nga pesë furnizuesit më të mëdhenj të naftës së huaj në SHBA dhe rafineritë në Bregun e Gjirit të Madh varen shumë nga nafta brut, e shtetit të Amerikës së Jugut. Më e rëndësishmja, vendosja e sanksioneve ndaj burimit të vetëm të mbetur të Venezuelës me siguri do të shkaktonte kolaps.  / Bota.al

Submit a comment