Vazhdon mbyllja e pjesshme e qeverisë amerikane

Mbyllja e pjesshme e qeverisë amerikane ka të ngjarë të vazhdojë edhe javën e ardhshme mes një ngërçi mbi fondet për murin e propozuar nga  Presidenti Trump për kufirin e Meksikës.

E enjtja shënoi ditën e gjashtë të mbylljes së pjesshme të qeverisë dhe Presidenti Donald Trump po lë të kuptohet se Kongresi është nën presion që t’i jape fund kësaj gjendjeje.

Mbyllja e qeverisë erdhi pasi Kongresi nuk e plotësoi kërkesën e zotit Trump për të miratuar 5 miliardë dollarë për një mur në kufirin jugor me Meksikën. Demokratët ranë dakord vetëm për 1.3 miliardë dollarë për sigurinë e kufirit.

Presidenti Trump foli për mbylljen e qeverisë, para se të mbërrinte në Gjermani të enjten herët në mëngjes për t’u takuar me trupat amerikane.

Në vizitën e tij të befasishme në Irak, zoti Trump la të kuptohet se nëse duan, demokratët mund t’i japin fund mbylljes së qeverisë.

“Publiku amerikan po kërkon një mur. Mendoj se (demokratët) janë nën presion të madh. Problemi është se na duhen 10 vota në Senat. Dhomën e Përfaqësuesve e kemi 100 për qind. Nancy (Pelosi) tha se nuk do t’i siguronim dot kurrë votat në Dhomën e Përfaqësuesve. Jo vetëm që i morëm, por edhe me diferencë të madhe”, tha ai.

Udhëheqësit demokratë të Kongresit thonë se zoti Trump donte që qeveria të mbyllej, por tani nuk di si të dalë nga situata.

Të dyja Dhomat e Kongresit, mblidhen të enjten por nuk ka pasur shenja se ligjvënësit do ta zgjidhin bllokimin për fondet.

Agjencitë qeveritare që merren me sigurinë kombëtare dhe atë publike mbeten të hapura, por zyra të tjera mbeten të mbyllura dhe 800 mijë punonjës federalë, po qëndrojnë në shtëpi.

Ata që konsiderohen si punonjës të domosdoshëm paraqiten në punë, por pa pagesë, derisa qeveria të rihapet.

Submit a comment