Udhëheqësi i Koresë së Veriut, është i hapur për një takim të tretë me Donald Trumpin

“AFP”

Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, është i gatshëm të takohet për herë të tretë me presidentin e SHBA-së, Donald Trump, nëse Uashingtoni dëshiron të ulet në tryezën e bisedimeve me “qëndrimin e duhur”, njoftoi sot media shtetërore.

Kim tha ndërkohë se do të presë deri në fund të këtij viti, “që Shtetet e Bashkuara të marrim një vendim të guximshëm” në një takim tjetër, pasi samiti i tij i fundit me Trumpin në Vietnam dështoi, dhe të dyja palët u larguan pa asnjë marrëveshje mes tyre.

Uashingtoni fajësoi për dështimin e samitit të muajit shkurt, kërkesat e Koresë së Veriut për lehtësim të sanksioneve, në këmbim të çarmatimit të kufizuar bërthamor, por Pheniani tha se kishte dashur vetëm lehtësimin e disa prej masave.

Në një fjalim të mbajtur në parlament ditën e premte, Kim tha se në takimin e Hanoit kishte pyetur nëse Uashingtoni është “i interesuar vërtet”, në përmirësimin e marrëdhënieve të tij aj me Phenianin.  “Ne jemi të gatshëm të japim një provë tjetër, nëse SHBA-të ofrojnë një samit të tretë, me qëndrimin e duhur, dhe me kushte reciprokisht të pranueshme”-tha ai, sipas një raporti të agjencisë shtetërore të lajmeve, KCNA.

Kim shtoi se marrëdhënia e tij personale me Trump mbetet e ngushtë, duke shtuar se ata mund t’i “shkruanin letra sa herë që të duan njëri-tjetrit”. ”Ne do të presim me durim deri në fund të viti, që Shtetet e Bashkuara të marrin një vendim të guximshëm”- tha udhëheqësi komunist koreano-verior. Trump dhe Kim, mbajtën samitin e tyre të parë në Singapor qershorin e vitit të shkuar, ku çifti nënshkroi një marrëveshje të paqartë mbi “de-nuklearizimin e Gadishullit Korean”.

Por dështimi për të arritur një marrëveshje në samitin e tyre të dytë në Hanoi, ka ngritur pikëpyetje mbi të ardhmen e marrëveshjes. Trump tha të enjten se po mendonte për një takim të tretë me Kimin, përpara një takimi me homologun e tij të Koresë së Jugut, Mun Jae-in në Zyrën Ovale – një lëvizje e mbështetur nga Seuli.

Mun ndërmjetësoi bisedimet SHBA-Kore e Veriut, dhe po nxit për rifillimin e projekteve ekonomike ndër-koreane, por kjo do të binte ndesh me sanksionet ndërkombëtare të vendosura mbi Phenianin. “Qeveria jonë do të bëjë atë që mundet për të ruajtur atmosferën aktuale për dialog”- u shpreh zyra për shtyp e zoti Mun në një deklaratë për mediat.

A.G

Submit a comment