Trump s’mund të lejojë Rusinë të rrezikojë interesat amerikane në Lindjen e Mesme

Nga Douglas Schoen “The Hill”

Presidenti Donald Trump, mbajti fjalimin e tij të tretë ‘Gjendja e Unionit’, në një sesion të përbashkët të Kongresit javën e kaluar. Gjatë gjithë fjalimit, Trump u përpoq të nxirrte në pah gjendjen e shëndetshme të ekonomisë amerikane dhe punën e tij në Shtëpinë e Bardhë, duke hedhur poshtë ato që ai e quajti si “hetime qesharake partiake”.

Vendimi i tij, për t’iu referuar hetimit të prokurorit special, është i gabuar dhe në kundërshtim me qëllimin e vërtetë të fjalimit vjetor. Trump iu lut Kongresit, t’i japë fund hetimit në lidhje me marrëveshjen e dyshuar midis shtabit të tij elektoral dhe qeverisë ruse.

“Nëse do të ketë paqe dhe ligjshmëri, s’mund të ketë luftë dhe hetime”- deklaroi ai. Por hetimi nga Robert Myler dhe ekipi i tij, mbi marrëveshjen e dyshuar midis stafit elektoral të Trump dhe Kremlinit, gjatë zgjedhjeve të vitit 2016, duhet të vazhdojë dhe është e domosdoshme që ai të ecë përpara pa asnjë ndërprerje, pasi populli amerikan meriton një përgjigje, se cila është e vërteta mbi këtë çështje.

Pavarësisht nëse vetë Trump ka pasur apo jo ndonjë kontakt të drejtpërdrejtë me qeverinë ruse, po bëhet e qartë se aktiviteti i paligjshëm ka qenë dominant në mesin e pjesëtarëve të shtabit elektoral të Trump, dhe atyre në mbështetje të kandidaturës së tij.

Aktakuza ndaj këshilltarit të tij të vjetër, Roxher Stoun muajin e kaluar, i shtroi hetimit një mori akuzash të reja. Këto përfshijnë aktakuzat kundër ish-menaxherit të tij të fushatës, ish-avokatit të tij personal, dhe disa zyrtarëve të tjerë të lartë të fushatës.

Robert Myler ka treguar se në shumë aspekte, fushata e Trump është zhvilluar në mënyrë të paligjshme. Hetimi nuk është një gjueti shtrigash. Është e nevojshme të shkojmë tek e vërteta e zgjedhjeve të vitit 2016.

Përveç referencave të tij ndaj hetimit, gjatë fjalimit më të rëndësishëm të vitit, pranimi i ndikimit të pakufizuar të Rusisë në Lindjen e Mesme nga ana e presidentit amerikan,është po aq shqetësues.

Duke diskutuar planet e tij për tërheqjen e trupave amerikane nga Lindja e Mesme, Trump tha:”Është koha t’i japim një mirëseardhje të ngrohtë në shtëpi, luftëtarëve tanë të guximshëm që janë angazhuar në Siri”.

Ngatërrimi i situatës në Siri, me atë që është në Irak apo Afganistan, është i gabuar dhe vepron në favor të Rusisë. Iraku dhe Afganistani, kanë pasur praninë e trupave amerikane për më shumë se një dekadë, ndërsa lufta civile në Siri ka qenë një zhvillim i kohëve më të fundit.

Vendimi për të tërhequr trupat nga atje, ishte nën maskën e shpëtimit të jetëve amerikane, por kjo nuk është arsyeja e vërtetë. Sekretari i Mbrojtjes, Xhejms Matis, dha dorëheqjen në shenjë revolte ndaj vendimit për t’u tërhequr me ngut nga konflikti në Siri.

Në letrën e tij të dorëheqjes, Matis shkroi:”Pikëpamjet e mia, mbi trajtimin e aleatëve me respekt, dhe të qenit të qartë mbi aktorët e këqij dhe konkurrentët strategjikë, nuk kanë ndryshuar”. Ata aktorë të këqij, të cilëve ai u referohej janë Vladimir Putin dhe Bashar Asad.

Është thellësisht shqetësues fakti që vendimi i Trump për të tërhequr trupat nga Siria, është në kundërshtim me interesat amerikane në rajon, dhe drejtpërdrejti në përputhje me interesat e Putinit. Shtetet e Bashkuara dhe Rusia, po mbështesin palë të ndryshme në këtë konflikt.

Por Trump ka treguar se ai është i bindur se Rusia dhe Turqia, mund të përballojnë të vetme pjesën e mbetur të konfliktit në Siri. S’ka dyshim se duke tërhequr trupat nga Siria, Trumpi po rrezikon interesat amerikane në Lindjen e Mesme.

Ky veprim, padyshim që favorizon Putinin, dhe vetëm sa ilustron se përse duhet të vazhdojë hetimi i prokurorit të posaçëm Myler. Në një kohë kur proceset demokratike amerikane dhe siguria kombëtare, po përballen me kërcënime të mëdha globale, është shumë shqetësues fakti që presidenti po tregon respekt ndaj vendit që na sulmoi.

Trump duhet të riqaset ndaj Rusinë me një politikë dhe strategji të qartë, për të luftuar sjelljen e tmerrshme të Putinit vitet e fundit, para se të zvogëlohet tej roli i Shteteve të Bashkuara si superfuqi botërore, por edhe para se legjitimiteti i zgjedhjeve demokratike dhe i qeverive në mbarë Perëndimin, të pësojë një dëm të pariparueshëm.

Përktheu:Alket Goce

Submit a comment