Trump, iftar në Shtëpinë e Bardhë:Ramazani, periudhë e shpresës, tolerancës dhe paqes

Associated Press/Abc News

Presidenti amerikan Donald Trump, e cilësoi të hënën në mbrëmje Muajin e shenjtë të Ramazanit, si një kohë kur njerëzit bashkojnë forcat në “ndjekje të shpresës, tolerancës dhe paqes”. Ai mbajti një iftar për ambasadorët dhe anëtarët e trupit diplomatik, që përfaqësonin kombe me shumicë myslimane. Darka, thyen agjërimin e gjatë gjatë ditës, që mbajnë myslimanët gjatë Ramazanit.

Iftarët janë mbajtur rregullisht në Shtëpinë e Bardhë që nga administrata e ish-presientit Bill Klinton, si një formë e afrimitetit dhe bashkëpunimit me botën myslimane. Presienti i SHBA-së, tha në fjalën e tij se kohët e fundit kanë qenë të vështira për njerëzit e të gjitha besimeve.

Ai përmendi sulmet terroriste ndaj myslimanëve në Zelandën e Re, të krishterëve në Sri Lanka dhe hebrenjve në Kaliforni dhe Pitsburg, SHBA. “Ne mbështetemi në kujtimet e tyre të bekuara, për të mposhtur të këqijat e terrorizmit dhe përndjekjen fetare, në mënyrë që të gjithë njerëzit të praktikojnë pa frikë besimin e tyre, të luten pa asnjë rrezik, dhe të jetojnë me besimin që rrjedh nga zemra e tyre”- theksoi shefi i Shtëpisë së Bardhë.

Në fund, Trump, e vuri theksin tek domosdoshmëria e ruajtjes së paqes botërore. “Falënderojmë Zotin që Amerika është një vend i bazuar në bindjen, se  qytetarët e të gjitha besimeve mund të jetojnë së bashku në siguri dhe të jetojnë së bashku në liri”- theksoi ai Dhe pastaj e mbylli fjalimin e tij me një bekim mysliman:U uroj të gjithë njerëzve në mbarë botën një Ramadan të mbarë!”.

Kjo qasje e presidentit amerikan, ishte shumë e ndryshme nga qendrimet që ai ka mbajtur deri tani ndaj komunitetit mysliman. Gjatë fushatës së tij presidenciale, Trump bëri thirrje për një “ndalim të plotë” të hyrjes në SHBA të myslimanëve nga disa vende.

Ndërsa në qershorin e vitit 2018, Gjykata e Lartë, deklaroi se një urdhër i tillë është “brenda autoritetit të presidentit”. Ky iftar, erdhi pasi Trump kishte kritikuar ashpër një nga dy gratë myslimane në Kongres, kongresmenen demokrate nga Miçigani Rashida Tlaib, duke pretenduar në një postim në Tuiter se “ajo ka padyshim një urrejtje të jashtëzakonshme ndaj Izraelit dhe popullit hebre. A mund të imagjinoni se çfarë do të ndodhte, nëse unë do të thosha në një rast atë që tha ajo?”.

Presidenti iu referua komenteve të saj të kohëve të fundit mbi Holokaustin dhe Izraelin. Republikanët u kanë kapën pas fjalëve “ndjenjë qetësuese”, kur ajo mendon për “tragjedinë e Holokaustit”, por edhe vuajtjet e paraardhësve të saj palestinezë dhe shtetin e Izraelit.

Ky shënim në rrjetet sociale, ndezi një luftë online, me kundërshtarët politikë që interpretuan gabimisht fjalët e Tlaib, si pasqyrim të ndjenjave të saj rreth gjenocidit që mori miliona jetë njerëzore. Demokratët e mbrojtën Tlaib, duke thënë se fjalët e saj janë shtrembëruar, dhe se gjitha kjo u shndërrua në një ”fushatë të egër të krahut të djathtë”.

Në një intervistë dhënë në fundjavë Tlaib, një nga dy gratë e para myslimane në Kongres, foli për mbështetjen e saj për një zgjidhje të konfliktit izraelito-palestinez. Ajo reagoi të hënën ndaj akuzave, duke thënë se Trump dhe ligjvënësit e rangut të lartë republikanë, e kishin keqkuptuar qëllimisht fjalët e saj, me synim “përhapjen e pavërtetësive, të rrënjosura tek urrejtja”.

Përktheu:Alket Goce

Submit a comment