Tetë vjet më pas, duhet t’i kërkojmë ndjesë Sirisë

Nga Zaki Kaf Al-Ghazal “Middle East Monitor”

Kjo javë, shënon përvjetorin e tetë të konfliktit në Siri. Numri i të vdekurve është mbi gjysmë milioni, dhe mbi gjysma e popullsisë është zhvendosur brenda ose jashtë vendit. Konflikti ka transformuar përgjithmonë shumë jetë njerëzore, dhe në një botë ku është pothuajse e pamundur të habitesh me ndonjë gjë, ajo e ka ende atë aftësi të tmerrshme për të na shokuar.

Është për të ardhur keq, që akush nuk flet më mbi rrënjët e kryengritjes. Tani, fokusi i narrativës zyrtare, është zhvendosur drejt antiterrorizmit, për shkak të rritjes së ISIS-it. Për shembull, krahasoni mbështetjen publike për heqjen e shtetësisë britanike ndaj Shamima Begum, për shkak se udhëtoi në territorin

e kontrolluar nga ISIS-i, dhe u martua me një terrorist, me heshtjen gati shurdhuese mbi çështjen e shtetësisë britanike të Asma Asadit,bashkëshortes së presidentit sirian. Dhe kjo përkundër faktit, se humbja e shtetësisë e lë Begum pa asnjë shtetësi,  diçka që ndalohet nga Home Office, një kritikë ligjore ndaj vendimit të diskutueshëm, është përtej qëllimit të këtij neni. Ndërkohë Esma Asad, është e martuar me një vrasës masiv.

Kryengritja siriane, nisi si një zgjatim i Pranverës Arabe në vitin 2011. Ndërsa diktatorët në Tunizi dhe Egjipt u rrëzuan, dhe njerëzit u ngritën kundër regjimeve në Libi, Bahrein dhe Jemen, edhe populli sirian u frymëzua.

Disa djem, që shkruanin grafite në muret e Darhasë parullat “Asad largohu!”, u dënuan rëndë. Në vend se të reformohej nga brenda dhe të kuptonte situatën ku ndodhej, presidenti Asad reagoi si çdo udhëheqësi i një shteti policor, duke vrarë protestuesit nëpër qytete, të cilët dolën në rrugë për të protestuar kundër arrestimit dhe torturimit të atyre fëmijëve.

Ajo që pasoi në javët, muajt dhe vitet që do të vinin ishte e tmerrshme, dhe e ka njollosur ndërgjegjen e njerëzimit. Dekada pas holokaustit dhe gjenocideve të Ruandës dhe Srebrenicës – me moton “kurrë më!” që jehon ende në veshët tanë – ne kemi parë me më shumë mospërfillje humbjen e shumë jetëve njerëzore.

Me Sirinë që po zhduket ngadalë nga mediat kryesore botërore, dhe lodhjen nga konflikti i stërzgjatur, mizoritë e kryera nga regjimi i Asadit, janë në rrezik të harrohen, apo akoma më keq të legjitimohen.

Në këtë kontekst, është shqetësues fakti që disa shtete kanë rihapur kohët e fundit ambasadat e tyre, dhe rivendosur marrëdhëniet diplomatike me regjimin. Ndërsa ishte mirë të dëgjojeje qeverinë britanike, të mohonte se do të ndërmerrte një veprim të tillë, është shqetësues fakti që Sekretari i Jashtëm, e pranon se për fat të keq Asadi duket se do të mbetet në pushtet.

Realitetet në aspektin e politikës së pushtetit janë me rëndësi, dhe Asadi ka një aleat dhe sponsor të jashtëzakonshëm si Rusia (një anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së). Por ai nuk mund të trajtohet si perandori japonez Hirohito dikur.

Kjo është përtej arsyes së shëndoshë, shpërblen egërsinë e tij, dhe në fund të fundit ushqen pakënaqësinë që nga ana e saj, ka të ngjarë të kontribuojë në ekstremizmin e ardhshëm. Përdorimi i armëve kimike të Asadit, kundër popullit të tij, është i pafalshëm, por sërish kjo çështje po zhvendoset nga diskutimi publik.

Incidenti i Gutas në gushtin e vitit 2013, kur regjimi mbyti me gaz qytetarët e vet, ishte ndoshta edhe momenti kur vala e konfliktit ndryshoi realisht, dhe kur Asadi e kuptoi se ai mund të kryente sulme të tilla pa u ndëshkuar.

Fakti që Memoriali i Holokaustit në SHBA-së, u mëson vizitorëve të tij mbi mizoritë e regjimit të Asadit, flet shumë mbi situatën delikate qën ekziston në Siri. Në vitet që do të vijnë, brezat që do të vijnë do të na pyesin se pse qëndruam duarkryq, dhe lejuam të ndodhte kjo tragjedi. Ku ishte bashkësia ndërkombëtare?

Megjithat, kohët e fundit po shohim përpjekje inrakurajuese, për t’i nxjerrë para drejtësisë para drejtësisë përgjegjësit e këtyre krimeve. Pak javë më parë, Gjermania arrestoi 2 sirianë të dyshuar për krime kundër njerëzimit.

Dhe vetëm pak ditë më parë, në një lëvizje të re, refugjatët sirianë në Jordani, i kërkuan Gjykatës Ndërkombëtare Penale, të gjykojë krimet kundër njerëzimit të kryera nga regjimi i Asadit.

Një precedent ligjor interesant mbi bazën e “transferimit të dhunshëm të popullsisë”, duket të zgjerojë juridiksionin e ICC, edhe pse Siria nuk është anëtare e saj, dhe Rusia do të bllokojë çdo përpjekje të OKB-së për të çuar Asadin në Hagë.

Nuk ka asnjë garanci se kjo do të funksionojë, por për miliona sirianë së paku ofron një dritë shprese; është një dritë në fund të tunelit. Si e tillë, çdo përpjekje për ta lejuar Assadin të garojë si kandidat në zgjedhjet e ardhshme presidenciale në Siri, ose për të qenë pjesë e përpjekjeve paqtimit politik, është e destinuar të dështojë.

Është moralisht e dënueshme, të lejohet të qëndrojë në detyrë një njeri, që konsiderohet një kriminel lufte nga populli i tij. Historia do të gjykojë me ashpërsi, ata që bënë sehir gjatë luftës civile në Siri. Ne vetëm mund të shpresojmë që 8 vjet më pas, “kurrë më!” do të thotë realisht “kurrë më!”.

Përktheu:Alket Goce

Submit a comment