Tensionet Turqi-Greqi, një nga sfidat e qeverisë së Kyriakos Mitsotakis

Nga Merve Şebnem Oruç “Daily Sabah”

Partia e opozitës së qendrës së djathtë të Greqisë, Demokracia e Re (ND), fitoi zgjedhjet e parakohshme parlamentare të së dielës, duke mposhtur partinë radikale të krahut të majtë Syriza, që qeveriste Greqinë në koalicion që nga viti 2015.

Mitsotakis u urua për fitoren nga presidenti turk Rexhep Taip Erdogan në një bisede telefonike të zhvilluar mes tyre. Le të shpresojmë, që ky të jetë një fillim i ri për marrëdhëniet më të forta Turqi-Greqi, që kanë pasur për dekada tensione mes tyre, edhe pse kanë qenë formalisht aleate në gjirin e NATO-s.

Por konflikti midis Greqisë dhe Turqisë është i vjetër. Që nga Traktati i Lozanës, i nënshkruar në vitin 1923 nga Aleatët e Luftës së Parë Botërore, që nisi të rregullonte bazat e marrëdhënieve greko-turke, rivaliteti historik nuk është zbehur.

Prandaj, konfliktet e reja, si ai mbi shpimet në Mesdheun Lindor, shoqërohen gjithmonë me përvoja të paharruara të çështjeve të kaluara. Pas grushtit qipriot të shtetit në Qipros në vitin 1974, të organizuar nga Garda Kombëtare Qipriote dhe junta ushtarake në Greqi, Turqia i dërgoi më të drejtë forcat e saj në Qipro, për të mbrojtur qipriotët turq, sipas marrëveshjes së nëshkruar vite më parë midis Mbretërisë së Bashkuar, Greqisë, Turqisë dhe Qipros.

Në atë kohë, marrëdhëniet e Turqisë me SHBA u dëmtuan, teksa Uashingtoni imponoi një embargo armësh mbi Ankaranë. Mosmarrëveshja e pazgjidhur mbi Qipron, si dhe kujtimet e luftës së përgjakshme të vitit 1920, që shkaktoi mijëra të vdekur dhe shumë të zhvendosur, vazhdon të ketë ndikim edhe sot marrëdhëniet dypalëshe.

Nga ana tjetër, keqtrajtimi i minoriteteve turke nga Greqia në Trakën Perëndimore, dhe mosnjohja e të drejtave të tyre, është një nga çështjet e tjera kryesore që nuk janë zgjidhur. Turqit etnikë jetojnë në Trakë, prej të paktën 600 vjetësh, dhe janë shtetas grekë.

Athina refuzon të pranojë faktin, se një person me prejardhje turke mund të jetë një shtetas grek besnik, dhe në të njëjtën kohë, një turk krenar për origjinën e tij. Turqit shihen vazhdimisht me dyshim nga autoritetet greke. Përplasja më e fundit, ishte ajo pas arratisë në Greqi të 8 pilotëve të forcave ajrore, të cilët janë anëtarë të grupit terrorist gylenist (FETÖ), pas përpjekjes së dështuar të grushtit të shtetit të 15 korrikut 2016 në Turqi.

Në janarin e vitit 2017, Gjykata e Lartë greke vendosi të mos ekstradojë ushtarët e kërkuar nga Turqia. Pastaj vjet, një prej gylenistëve fitoi azil nga Greqia. Para këtij vendimi, presidenti Erdogan e kishte ngritur këtë çështje, si dhe shumë të tjera gjatë vizitës së tij në Athinë vitin e kaluar, e cila ishte e para e një presidenti turk në 65 vjet.

Vizita e tij, mund të kishte qenë një shans për të shëruar disa plagë. Por veprimet e Athinës pas grushtit të dështuar të shtetit në Turqi, nuk ndihmuan aspak në këtë drejtim. Gjatë vizitës së tij, Erdogan tha se Traktati i Lozanës duhet të rishqyrtohet për të zgjidhur problemet mes 2 vendeve, duke përmendur keqtrajtimin e minoritetit turk në Trakën Perëndimore, dhe kritikoi Greqinë për dështimin e bisedimeve të paqes në Qipro.

Megjithatë, problemi kryesor ka qenë gjithmonë Deti Egje, që ndan 2 vendet. Në këtë det ekzistojnë rreth 3.000 ishuj pa asnjë pronësi të caktuar. Për më shumë se 40 vjet, të dyja vendet kanë pasur mosmarrëveshje mbi kufirin e ujërave të tyre territoriale, shelfin kontinental dhe hapësirën ajrore kombëtare.

Greqia dhe Turqia, ishin në prag të luftës mes tyre mbi ishullin e pabanuar Kardak në vitin 1996. Pas më shumë se 2 dekadash, tensionet janë rindezur 2 vitet e fundit. Në korrik 2017, një barkë turke u qëllua nga rojet bregdetare greke, dhe në shkurt 2018 anijet patrulluese turke ndaluan 3 barka greke, që u përpoqën të zbarkojnë në ishujt Kardak.

Pastaj në mesin e prillit 2018, ushtarët grekë hapën zjarr mbi një helikopter turk, ndërsa një avion luftarak grek u rrëzua mbi Egje nga avionët luftarakë turq. Udhëheqësi ultra-nacionalist, Panos Kammenos, që ishte Ministër i Mbrojtjes, vizitoi Kardakun në vitin 2016, duke ringjallur kujtimet e ushtarëve të vdekur në incidentin e 1996-ës, dhe i siguroi të gjithë se mosmarrëveshja vazhdonte ende.

Së fundmi, të dyja vendet janë angazhuar në një përplasje të re në Mesdheun Lindor. Administrata greke qipriote lëshoi një ​​urdhër arresti ndërkombëtar për 25 vetë, përfshirë personelin e anijes turke Fatih  që merret me shpimet për naftë, si dhe për zyrtarët e Korporatës Turke të Naftës (TPAO).

Ndërkohë ka një tjetër mosmarrëveshje mbi burimet e gazit natyror po në Mesdheun Lindor. Nëntë vite me parë një fushë e madhe e gazit natyror, u zbulua në brigjet e portit të Haifas në Izraelit. Rezerva e atij burimi mendohet te jetë më shumë se 600 miliardë metra kub gaz.

Nga ana tjetër, fusha të tjera janë gjetur në të njëjtin pellg, sikurse është ajo e Afërditës pranë Qipros. Sipas raporteve të vitit të kaluar, Izraeli, Qiproja Greke, Greqia dhe Italia, arritën një marrëveshje për ndërtimin e një gazsjellësi që lidh rezervat e gazit në Izraeli, me të treja vendet në një projekt madhor, që do të furnizojë me gaz Evropën nga Mesdheu Lindor.

BE ka interes për këtë projekt, pasi do të mundësonte reduktimin e varësisë nga gazi rus. Turqia dhe Greqia, nuk kanë pasur kurrë një luftë të vërtetë mes tyre që nga vitet 1920. Greqia nuk mund ta përballojë sot një luftë të tillë, dhe Turqia nuk dëshiron më dhunë, pas gjithë asaj që ka ndodhur në Lindjen e Mesme, veçanërisht në Siri.

Tani skenari më i mundshëm, janë operacionet ushtarake në shkallë të vogël, sidomos rreth Egjeut dhe Mesdheut Lindor. Operacione të tilla, mund të çojnë në luftime të reja midis Turqisë dhe Greqisë. Le të shpresojmë që të mos ketë viktima ushtarake apo civile nga të dyja anët.

Tani që kryeministri Kyriakos Mitsotakis ka një shumicë absolute në parlamentin grek, pritet të ndërmarrë shumë reforma në ekonominë greke dhe të modernizojë shtetin. Megjithatë, mënyra se si do të ecin marrëdhëniet Greqi-Turqi gjatë mandatit të tij, do të jetë një tjetër pikë e rëndësishme e axhendës së tij.

Përktheu:Alket Goce

Submit a comment