Tensionet SHBA-Iran nuk kanë gjasa të ulen, as pas samitit të Mekës

Nga Khattar Abou Diab “Arab Weekly”

Samiti i vendeve Arabe islamike të Gjirit në Mekë, ishte një nga thirrjet e fundit për të mbrojtur paqen, dhe sigurinë në rajonin e Gjirit Persik dhe Lindjes së Mesme. Në mesin e një përshkallëzimi të rrezikshëm të tensioneve midis Uashingtonit dhe Teheranit, udhëheqësit arabë të Gjirit, e refuzuan ndërhyrjen e Iranit dhe kërcënimet e tij ndaj stabilitetit në rajon.

Në fakt, i gjithë rajoni është prekur nga mania e tregimit të muskujve, e ilustruar kjo nga strategjia e presidentit amerikan Donald Trump për një “presion ekstrem” ndaj Iranit, dhe nga reagimet e Teheranit që luhaten mes reagimit ushtarak, dhe propozimeve diplomatike të paqarta dhe jo konstruktive.

Me tensionet që janë në rritje, vera e sivjetshme premton të jetë shumë e nxehtë. Nuk ka gjasa që përshkallëzimi të arrijë nivelin e një përplasje ushtarake, por gjasat e një ngërçi të madh në nivelin diplomatik, mund të çojnë në një konflikt të kufizuar ushtarak, pasi për Trumpin është e vështirë të kthehet pas, pas deklaratave të ashpra, dhe masave të ashpra që ka marrë 2 vitet e fundit kundër Iranit.

Rasti i regjimit Iranian, është më kompleks. Problemi i tij është bërë kronik, sepse për 4 dekadat e fundit, Irani nuk është sjellë si një shtet-komb. Ai është drejtuar nga një revolucion ideologjik. Prandaj, konflikti nuk mund të konsiderohet si një luftë tradicionale midis dy shteteve, sepse dimensioni ideologjik ekziston edhe në llogaritë që bën Uashingtoni.

Intensifikimi i fushatës së presionit nga ana e Shteteve të Bashkuara, po e shtyn Iranin në një cep të ngushtë, dhe mund të çojë në një konflikt që mbart rreziqe të mëdha, në një rajon që është jetik për prodhimin dhe kalimin tranzit të burimeve energjetike të botës.

Duket se SHBA-të besojnë se sanksionet e saj të ashpra, dhe fushatat e zhurmshme politike dhe ushtarake, do ta bindin apo detyrojnë Iranin që të rikthehet në tryezën e negociatave. Përshkallëzimi i sanksioneve amerikane, solli rezultate të prekshme në muajin e parë.

Eksportet e naftës iraniane, ranë në vetëm 400.000 fuçi në ditë në muajin maj. Përpara sanksioneve, këto eksporte arrinin në 2.5 milionë fuçi në ditë. Situata po përkeqësohet për Iranin, pasi edhe Kina ka nisur të blejë më tepër naftën ruse, deri sa të marrin fund sanskionet.

Në kundërshtim me dëshirën e Iranit për t’u mbështetur tek trojka evropiane – Gjermania, Franca, Britania e Madhe – për të kompletuar mekanizmin financiar që do të anashkalojë sanksionet e Shteteve të Bashkuara- sektori privat në Evropë heziton ta mbështesë atë, dhe vendimmarrësit evropianë gjithashtu, jo vetëm për shkak të kërcënimit amerikan me sanksione ndaj individëve dhe subjekteve specifike, por gjithashtu sepse Teherani nuk ka treguar  ndonjë fleksibilitet në lidhje me programin e raketave balistike, dhe rolin e saj në krizat rajonale.

Njoftimi i kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahu për një takim trepalësh midis Shteteve të Bashkuara, Rusisë dhe Izraelit këtë muaj, lë të kuptohet se Rusia po distancohet nga Irani, dhe po punon për të pasur një lloj mirëkuptimi me Uashingtonin, lidhur me zhvillimet në rajon.

Por presioni ekonomik dhe politik, si dhe kërcënimi ushtarak që ushtron SHBA-ja, nuk do të thotë domosdoshmërisht se suksesi i Trumpit është i afërt, për shkak se Irani e lexon situatën ndryshe. Teherani nuk i zë besë sa duhet administratës amerikane, për t’u rikthyer në negociata.

Udhëheqësi suprem Iranian, Ali Khamenei, refuzoi haptazi të negociojë nën presionin e sanksioneve. Qëndrimi i Khameneit, nuk e bën aspak më të lehtë misionin e presidentit iranian Hasan Rohani, dhe ministrit të Jashtëm Muhamed Zarif.

Ndërkohë kërcënimet nga udhëheqësit e Gardës Islamike Revolucionare të Iranit, mund të cilësohen si pasqyrim i pozitës reale të Teheranit, veçanërisht kur ato janë të lidhura me operacione e sabotimit kundër Arabinë Saudite, dhe jashtë brigjeve të Emirateve të Bashkuara Arabe.

Në fillim të përshkallëzimit të tensioneve midis të dyja palëve, analistët ranë dakord se lufta nuk ishte e pashmangshme, pasi Trump e kupton se luftërat janë të këqija për biznesin, dhe shkojnë rrallë ashtu siç janë planifikuar. Sundimtarët e Iranit, mund të preferojnë të presin fundin e mandatit të parë të Trump, dhe perspektivën e një presidenti demokrat më të butë në vend të tij.

Ky mund të jetë një mendim i dëshiruar, por Irani e di koston e rëndë të luftës, dhe se lufta përmes milicive të mbështetura prej tij, mund të provokojë një hakmarrje ushtarake amerikane, pikërisht rezultati që dëshiron të arrijë. Për këto arsye, nuk do të jetë e mundur të frenohet përshkallëzimi i situatës, pa ndonjë tërheqje nga ana e Iranit.

Shënim:Khattar Abou Diab, është profesor i shkencave gjeopolitike në Qendrën për Gjeopolitikës në Paris.

Përktheu:Alket Goce

Submit a comment