Takimi i afërt Trump-Xi, nuk pritet t’i japë fund luftës tregtare

Nga David Lawder & Ben Blanchard “Reuters”

Kur kanë mbetur më pak se 3 javë, përpara nisjes së bisedimeve midis liderëve kinezë dhe amerikanë, pritshmëritë për përparime dhe shkuarjes drejt fundi të luftës tregtare, janë të ulëta. Madje burimet diplomatike, thonë se ka pasur pak përgatitje për një takim të tillë, edhe pse “shëndeti” i ekonomisë botërore është në rrezik.

Presidenti amerikan, Donald Trump, thotë se dëshiron të takohet me presidentin kinez Xi Jinping në samitin e G20 në Osaka në datat 28-29 qershorit, dhe aty do të vendosë nëse do të pezullojë tarifat për thuajse të gjitha importet kineze.

Megjithëse asnjëra palë nuk e ka konfirmuar me siguri zhvillimin e një takimi kokë më kokë, investitorët në mbarë botën, që kanë parë mbi 1 trilionë dollarë të zhduken nga tregjet globale gjatë muajit të kaluar si pasojë e luftës tregtare, do të shikojnë nga afër çdo ndërveprim midis dy udhëheqësve.

Marrëdhëniet SHBA-Kinë, janë përkeqësuar që nga muaji maj kur u ndërprenë negociatat, për t’i dhënë fund mosmarrëveshjeve tregtare amerikano-kineze. “Atmosfera është helmuese”- tha për “Reuters” një diplomat i lartë perëndimor me qendër në Pekin, duke iu referuar lidhjeve mes Kinës dhe SHBA-së.

Burimet me dijeni mbi këtë situatë, përfshirë zyrtarët dhe diplomatët në Uashington dhe Pekin, thonë se ka pasur një mungesë gati të plotë të punës përgatitore për takimin, kryesisht për shkak të rritjes së tensioneve. Ekipet negociatore, nuk janë takuar që kur bisedimet u futën në ngërç më datën 10 maj.

Shtëpia e Bardhë,  refuzoi të komentojë mbi përgatitjet për një takim Trump-Xi. “Përgatitjet për samitin e G20 në Japoni, janë në vazhdim e sipër. Ne s’kemi asgjë për të thënë tani lidhur me takimet e veçanta dypalëshe”-u shpreh zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Garett Markis.

Ndërkohë këshilltari ekonomik i Shtëpisë së Bardhë, Lerri Kudlou, tha për CNBC të martën se Trump po shpreson të rifillojë me Xi-në bisedimet “aty ku i kemi lënë herën e fundit”. Trump deklaroi në fillim të kësaj jave se pret që takimi të ndodhë, ndërsa kërcënoi më shtimin e tarifave mbi importet kineze, në rast nuk ka një progres të mjaftueshëm, ose nëse Xi pranon asnjë propozim të amerikanëve.

Ndërkaq, zëdhënësi i ministrisë së Jashtme Geng Shuang, tha të hënën se Kina është e hapur për bisedime të mëtejshme mbi çështjen e tregtisë, por nuk ka asgjë për të thënë mbi një takim të mundshëm mes dy udhëheqësve. Shuang theksoi të martën se Kina do të “luftojë deri në fund”, nëse Uashingtoni vendos të përshkallëzojë luftën përmes tarifave tregtare.

Burimet diplomatike, thonë se që të dy liderët ka të ngjarë të zhvillojnë mes tyre një lloj takimi, por shtojnë se pavarësisht se çfarë do të ndodhë në Osaka, ka shanse më të vogla në krahasim me 2 muaj më parë, që bisedimet të përmbylleshin me një marrëveshje tregtare historike.

Një zyrtar i lartë kinez, u tha përfaqësuesve të biznesit amerikan javën e kaluar se përgatitjet për një takim Trump-Xi ende nuk kishin nisur. Nga pala amerikane, mungesa e përgatitjes për një takim të rëndësishëm, nuk është aq e pazakontë vitet e fundit. Trump shkon shpesh në bisedime të rëndësishme me pak punë paraprake.

Ndërkohë Xi mund të mos dëshirojë të bëhet pjesë e një takim të tillë të profilit të lartë, me një rezultat të paparashikueshëm, dhe duke u përballur me kërcënimet për vendosjen e tarifave të reja të SHBA-së kundër mallrave kineze.

“Xi kërkon siguri që të respektohet në një takim të tillë. Kina nuk do që presidenti i saj të shkojë në një takim, ku ai mund të ndihet në siklet”- thotë një diplomat aziatik. Esvar Prashad, profesor në Universitetin Kornell dhe një ish-kreu i departamentit të Kinës në Fondin Monetar Ndërkombëtar, tha se pritshmëritë nga çdo lloj bisedimesh që mund të zhvillohen në këtë moment, janë të ulëta.

“Rezultati më i mirë nga një takim Trump-Xi, që duket i dyshimtë në këtë fazë, do të ishte një marrëveshje që të dyja palët të rifillojnë. Perspektivat për një ‘armëpushim’ të përkohshëm dhe të kufizuar, janë shkatërruar dhe parashikimi është për një periudhë të gjatë të tensioneve tregtare”- thtë Prashad, që është vazhdimisht në kontakt me zyrtarët kinezë.

“Në rast se bisedimet shkojnë keq, të dyja palët mund të rrisin tarifat ndaj njëri-tjetrin. Trump mund të anulojë licencat e kompanive tregtare me gjigantin kinez të telekomunikacionit Huauei, dhe Kina mund të ndalojë eksportet amerikane për produktet e teknologjisë së lartë, dhe të ndërmarrë masa kundër kompanive amerikane në Kinë”- thekson ai.

Në fakt tensionet SHBA-Kinë, shkojnë përtej tarifave. Shtetet e Bashkuara, kanë dërguar marinën e saj në Detin e Kinës Jugore dhe Ngushticën e Tajvanit, ndërsa ka kryer edhe manovra të tjera publike të mbështetjes për Tajvanin e pavarur nga Kina.

Përktheu:Alket Goce

Submit a comment