Studimi i GMF:Ballkani Perëndimor, një terren pjellor për dezinformimin rus

European Western Balkans”

“Aktorët pro-rusë të dezinformimit, janë duke e minuar procesin e përgjithshëm të pajtimit në Ballkanin Perëndimor. Duke shfrytëzuar konfliktet e ngrira në rajon, ata kërcënojnë stabilitetin dhe marrëdhëniet e mira midis vendeve fqinje.

Në këtë përfundim, mbërrin një raport i Fondit Gjerman Marshall (German Marshall Fund), një think-tank me qendër në Gjermani, i bërë publik këtë muaj. Duke synuar të shpjegojë rritjen e narrativave anti-perëndimore dhe pro-ruse në Ballkanin Perëndimor, dokumenti analizon rolin e agjentëve lokalë të informacionit dhe atyre jo-shtetërorë, që promovojnë qëllimisht interesat e Rusisë në mbarë rajonin.

Në bazë të gjetjeve të studimit, për shkak të faktit që skena meditike është e pa konsoliduar dhe e pambrojtur, vendet e Ballkanit Perëndimor, përbëjnë një terren pjellore për përhapjen e dezinformatave.

Kjo ka çuar në krijimin e një hapësire mediatike në rajon, e cila është e prirur të promovojë narrativat anti-perëndimore dhe pro-ruse. Gazeta vlerëson se narrativat anti-perëndimore dhe pro-ruse, janë shumë të popullarizuara, pasi ky rajon është një fushëbetejë kryesore e konfliktit midis Rusisë dhe Perëndimit.

Këto tregime, nuk lindin në vakuum, por lehtësohen shumë nga zhvillimi i rrjeteve lokale të ndërmjetësve, që marrin pjesë në riprodhimin e tyre. Raporti është përqendruar veçanërisht në rolin e Rusisë në 3 proceset e rëndësishme politike në Ballkanin Perëndimor:referendumin për ndryshimin e emrit të Maqedonisë së Veriut, zgjedhjet në Bosnje Hercegovinë në vitin 2018, dhe në fazën e fundit të dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.

Sipas gjetjeve të GMF, në të gjitha vendet e përmendura, janë përdorur 4 narrativa kryesore, vetëm me disa ndryshime: ”Agresori është NATO”, “Bashkimi Evropian, është institucionalisht i dobët”, “Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do të krijojnë një Shqipëri të Madhe”, dhe “Rusia është një partnere e besueshme”.

Pas protestave të mëdha në Shkup, që ishin rezultat i krizës kushtetuese në Maqedoni në vitin 2016, Ministria e Jashtme ruse ndërmori një seri lëvizjesh që synonin të përfshinin rivalët perëndimorë, BE-në dhe NATO-n, në një projekt që sipas Moskës synon të krijojë “Shqipërinë e Madhe”.

Një fluks i veçantë i historive anti-perëndimore dhe pro-ruse, mund të vërehej menjëherë para referendumit mbi ndryshimin e emrit, dhe pajtimit historik mes Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, veçanërisht në rrjetet sociale, kujton raporti.

Sipas analizave të siguruara nga “German Marshall Fund”, çdo ditë pas referendumit u krijuan më shumë se 40 profile të reja në Facebook, ndërsa pati 24 mijë thirrje për bojkot të referendumit, me mbi 30 mijë rishpërndarje. Raporti thekson se një fushatë e tillë, pati efektin që deri në 2/3 e votuesve të mundshëm të mos merrnin pjesë në referendumin për ndryshimin e emrit, dhe kjo ishte mënyra përmes së cilës Rusia u përpoq të kompromentonte legjitimitetin e tij.

Sipas studiuesve të këtij think-tanku të njohur, ngërçi në në procesin dialogut Beograd-Prishtinë për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre, i jep mundësi retorikës anti-perëndimore dhe pro-ruse që të fitojë popullaritet.

Ndikimi i Rusisë në përhapjen e këtyre tregimeve, është i pranishëm në gati të gjitha mediat, ndërsa të gjithë ekspertët e intervistuar për këtë raport, konfirmuan se narratat anti-perëndimore janë mbështetur ndërkohë edhe nga elita politike, e cila ka pasur ndikimin e vet në zbehjen e entuziazmit ndaj BE-së në Serbi.

Sipas sondazhit të Barometrit të Ballkanit në vitin 2017, e kryer nga Fondi Gjerman Marshall, 26 për qind e njerëzve në Serbi e perceptojnë praninë e Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor si diçka pozitive, dhe kjo është përqindja më e ulët në rajon. “Bosnja, është ndoshta vendi më i dobët në Ballkanin Perëndimor, dhe si i tillë përfaqëson një terren pjellor për luftërat gjeopolitike midis Rusisë dhe Perëndimit”- thekson analiza.

Rusia është veçanërisht e interesuar të ruajë ndikimin e saj në Republikën Serbe, ndërsa Milorad Dodik, është njeriu më i fortë që mbështet interesat ruse në Ballkanin Perëndimor. Raporti, arrin në përfundimin se Perëndimi nuk është mjaft i dukshëm në Bosnje, dhe madje edhe më pak në Republikën Serbe.

Aktorët e dezinformimit, e sfidojnë rolin e BE-së si një faktor kryesor politik në zbatimin e reformave në Ballkanin Perëndimor. Megjithatë në nivelin politik, perceptimi i BE-së në rajon është ende pozitiv, për shkak të rolit të saj si një investitore kryesore dhe partnere kryesore në fushën e eksporteve, përfundon analiza.

Përktheu:Alket Goce

Submit a comment